IBRAHIM IBISHI-DUA TË JESH HËNË POETI

DUA TË JESH HËNË POETI

Dua

Të jesh hënë poeti

Zjarr dhe qetësi

Në të njëjtën kohë

Dhe dramë e këngë

Të jesh kur ke vetmi

Dua

Të jesh zog perëndie

Që fluturon qiellit tim

Dhe gjëmë e këngë të jesh

Një ditë kur t’ikin ëndrrat

Të kthehesh të tregosh

Se je hënë poeti

Me kurorë xhevahiri – mbretëreshë

Dua

Zog i këtij qielli të jesh

Me plot shpresë në cicërrimë

Fashë drite e zvërdheme

Të shkëlqesh

Tek lëshohesh mbi dritaren time

Në mesnatë

Hënë dhe zjarr poeti

Të shkëlqesh e të jesh

ROMANCË PËR TY DHE MËNGJESIN ME SHI

Nga veranda e Agoras

Përjetoj përpëlitjen e shiut

Mbi gjethurinë e blinit

Dhe flokun tënd

Të ngatërruar me copat e gjumit

E shoh të gështenjtë të përgjumur

( Nëse do të jesh i lumtur thonë

Sajo një përrallë për të dashuren

Që ende fle e patrazuar

Në shtrat princeshe

Dhe vrojto detin e mërzitur

Nga puthjet e pikëlave të imta

E kaçurrelat e saj

Merri në gishtërinjt që të dridhen

Dridhen

Dridhen )

Prej këndej mundohem të të gjej

Në një bredhëritje të përhanshme

Dhomave të pallatit përballë

E nuk të gjej nuk të gjej

E nuk të shoh nuk të shoh nuk të shoh

E patjetër diku je ti

E unë dëshiroj të të shoh të të shoh

Kaçurrelat t’i përkëdhel nëpër shi

Nëpër shi nëpër shi

PRIT NJË HERË SA T’DEL VASHA

Hënë o hënë hënë hirushe

Në mesnatë prit e prit

Vonë kur ëndrra psherëtinë

Prit sa t’del vasha n’dritare

Sa t’del djali me violinë

Rri mbi kopshtin e përgjumur

Plot aromë jorgovani

L’sho fenerin në çardak

Puqi buzët engjëllore

Shfryje afshin mbi zambak

E dikur në fund të ëndrrës

Fshihe syrin në buzë mali

Hije e verdhë sa t’zgjatë nata

N’zemër t’djalit lulja e jetës

Trëndafil me gjemba ari

DIMËR SHIGJETARËSH

Nga mansarda që nuk e kam

Thith cigaren

Pastaj me tymin nëpër pullaze hidhem

Si galat kur krrokasin n’acar

E poshtë nipi në dhomën e prindërve

Kërkon diçka që emrin ende nuk ia di

Qan nga i’here

Me gjuhën time që s’e mbaj në mend

Sikur më thotë: gjysh unë e ti u lindëm sivjet

Pak ditë para vitit të ri

Në dhjetorin e ardhshëm

Do  të mbushim një shekull të zbrazët

Ndërsa unë përkëdhel mjekrën

Dhe me tymin e cigares udhëtoj

Hidhem nëpër ëndrra si bandill i vetmuar

Herë qaj si Erjoni

Herë si galat krrokat mbi pullaze

Në këtë dimër shigjetarësh

Një shekull nis e nuk mbaron kurrë

KUR TI FLE

Fle fle fle

Fle fle fle

Ti tashti fle

Fle fle fle

Dhe një nënqeshje në cep buze

Të miklon ëndërrën e pafund

E tashti ti fle

Fle e fle e fle

Unë engjëlli mbrojtës jam

I flokut të shkujdesur

Që ëndërron

E tashti ti fle

ËNDËRR NË BREG LUMI

Ti je romancë e lehtë

Që rrëshqet mbi valët e bardha

Në ditë vere me shi blerosh

Në këngën e dehur

Ti je akord i dhembshëm

Që tingëllon me jehonë

Ti je kaçurrel mbi çerpik

Ti je flutur në shi

Ti je aromë portokalli

Ti je vesë mbi trëndafil

Ti je puhizë në krahë bilbili

Ti je violinë jevgu në ekstazë

Ti je shkumë e bardhë mbi valë deti

Ti je çdo gjë që është e bukur

Si ta zëmë

Diell i fërguar në vaj mandarine

Pas bjeshkës së fundit

Në horizont

Dhe shushurimë vale në mesditë

Ti je pulëbardhë përralle

Dhe sirenë flokëverdhë

Me trup peshku

Ti je çdo gjë që magjepsë

Ti je lamtumirë e ndjeshme

Që lëngon

Ti je ëndrra ime

Në breg lumi tek pushon

KËNGË PËR SHEMIN

Sot vendlindjen e pashë

Vëllaun tim me dhe tek e mbulon

E çka mund të bëja

Unë kundër vdekjes

E çka mund tu thosha nipërve

Për babanë e tyre

Me gjithë atë barrë dergje

Në bebëzat prej qelqi

U thashë: Do ta këput xhaxhai

Një copë qielli dhe do të vrapoj

Anembanë fushave me luledhembje

Deri në amshimin e dehur

Tapë do të bëhem me kupën e helmit

Akoma më i vetmuar do të kthehem

Tek ju

E ju, u thashë, do ta kërkoni shpëtimtarin

Në rrebesh shiu e breshëri do të hasni

Nëpër ortekët e fundit në skaj bote

Do ta kërkoni

Dhe do ta gjeni një ditë

Rrugës nëpër ëndrra somnabulësh

Kur të tjerët baba do t’u thërrasin

PËRTEJ MASKE

Ata që na i futën thikat

Na i dhuruan edhe maskat

Dhe ne ta zëmë frymën tonë i vumë

Kur na i dërguan këto lodra ferri

Të fshihemi bukur na mësuan

E kur të dalim nga terri

Qyqe të bëhemi përgjithmonë

Kur e vë maskën në fytyrë

Ti e do një tjetër emër

Një tjetër gjini lakmon

Dhe një liri që të tjerëve u mungon

PËRTEJ MASKE

Ata që na i futën thikat

Na i dhuruan edhe maskat

Dhe ne ta zëmë frymën tonë i vumë

Kur na i dërguan këto lodra ferri

Të fshihemi bukur na mësuan

E kur të dalim nga terri

Qyqe të bëhemi përgjithmonë

Kur e vë maskën në fytyrë

Ti e do një tjetër emër

Një tjetër gjini lakmon

Dhe një liri që të tjerëve u mungon

KTHIMI

Dhe ti erdhe një natë

Kur ëndërrën më kulloti

Njëbrirëshi i përrallës

Dhe më the se zogjtë fluturojnë

Vetëm në vjeshtë e pranverë

E unë ikjes desh i besova

Kur u nise të shtegtoje me djallin

Nëpër arat me luledielli

Dhe ti erdhe një natë

Kur shi i dashurisë po sitej

Mbi çerpikë

Ti erdhe një natë

Bredhjen time të lodhur të më kujtoje

Nëpër ëndrra të egra

Të më ktheje në shtëpi

Një ditë apo një natë

Ti erdhe

Dhe ta dish s’ka aspak rëndësi

Cila ditë apo natë rrinte zgjuar

Në fushën e verdhë të kalendarit

Dhe unë nuk të prita në dritare

Andej nga shtegtojnë zogjtë e mallëngjimit

Të prita aty prej nga je nisur

Mu në ëndrrën e përjetshme

DHE PËRSËRI IKJA

Çdo gjë që ikë

Nuk është erë shiu

As moshë e dergjur thinjash

Mund të mos jetë viktima

Me vrasësin në vrap pas saj

Ajo që ikë

Me shpirtin maje qime floku

Si erë a si përftim pikëllimi

Shumë leht ti mund të jesh

Ajo që ikë

Dhe dikush që lëngon

Në shtratin e dergjes – për ty

Mund të jem unë ai që të përcjell

Tek ikë me trenin e fundit

Se nuk mund të jesh pranverë

Që shkon e kthehet

Pastaj perdja bie si në teatër

Dhe ikja bëhet pastaj ikje gjigante

Përgjithmonë
u1_ibrahimibishi1

Advertisements

2 Përgjigje to “IBRAHIM IBISHI-DUA TË JESH HËNË POETI”

  1. Good Automation Programs At low-priced : icanhazcookie.net

  2. Ibrahim Ibishi,do te mbetet ne kujtesen e gjitha breznive tona

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: