Arkiv për Janar, 2009

HIMNI I MANIFESTIMIT TRADICIONAL”FLAKA E JANARIT”

Posted in Uncategorized on Janar 26, 2009 by cakolli

Himni i manifestimit tradicional kombëtar “Flaka e Janarit”: FLAKA E JANARIT Flaka e Janarit – flakë e yjësisë , Kushtrim i shqiptarit – thirrje e lirisë ! Flaka e Janarit erdhi në Gjilan –e, Seç i shporri mjegullat – diell mbi vatan –e ! Refreni: Jusufi , Bardhoshi edhe Kadri Zeka , Nuk i trembi plumbi , nuk i trembi vdekja ! Bashkë me ta Zijahu, Rexhepi , Nuhiu – Bora dhe acari – gjakun nuk ua ngriu ! Flaka e Janarit – flakë që na bashkon – e, Dëshmorët e kombit , përherë i nderon – e . Kujton heroizmat , që prej Skënderbeut , Që flijuan jetën për liri t’ Atdheut ! Refreni: Jusufi, Bardhoshi edhe Kadri Zeka…etj. Jo, nuk vdesin kurrë trimat legjendar- e, Jetojnë në pikturë , n’ bronz e n’ lapidar – e . N’ faqe t’ historisë me shkronja të arta , N’ vargje t’ poezisë , me këngë e lëvdata ! Refreni: Jusufi, Bardhoshi edhe Kadri Zeka…etj. Teksti dhe muzika: Gjilan, më 27. 12. 2007. Demir KRASNIQI

Advertisements

KUNGJ E LAKNUER

Posted in humor on Janar 26, 2009 by cakolli

Nga thesari popullor:

KUNGJ E LAKNUR

Një malësor i Karadakut , kishte shkuar mesit (shkues) për t’ ia kërkuara vajzën për nuse , një malësori nga një fshat tjetër , për një mik të vetin .

Kur shkoi mesiti te ai malësori për t’ ia kërkuar vajzën , thirri te dyert e oborrit sipas zakoneve  malësore . Zoti i shtëpisë doli e përcolli dhe e shtyri brenda në odë .

Pasi që i pinë kafet dhe i ndërruan kutitë e duhanit “kaçak” , në bisedë e sipër , zoti i shtëpisë duke e ditur se ky njeri ka ardhur për ndonjë zor , e pyeti mysafirin :

o Po çka e mira të solli këndej , or dashamiri im ?

Mysafiri , pak si i turpëruar , iu përgjigj :

-Kam ardhë mesit “Allah nemrile “(arab. Në emër të Zotit ). Filan Filani e ka djalin në rend të martesës dhe asht ba shumë marak me u nxanë mik me ty! Ai, Juve ju ka ba kabull (arab. Ju ka pranua) për miq , e Juve s’e  di se çka po jav merr mendja për këtë punë?!

Pra, për çka të ju interesojnë, Ju  pyetni e unë ju kallëzoj drejt për çdo gja !

Zoti i shtëpisë , pak si i habitur dhe i befasuar për këtë, ia ktheu mesitit :

-Po hajrli (turq. Me fat ) koftë , o dashamirë !

Çikën , masi ta kiesh – 99 e lypin e nja e merr ! Pra, qaj qi e ka kismet ! Pra, n’ koftë kismet – s’ del qi e pret ! Po, mos koftë hajr – larg e ma larg !…

-Po çfarë djali asht ai, Allahile (Pashë Zotin)? A asht i zoti? A asht i hijshëm? A punon diku? A ka shkollë ? A ka zanat ???…

Mesiti iu përgjigj :

-Djali asht shumë i zoti . Shoq të gjallë kun nuk ka . E ka krye shkollën e plotë!…Asht shumë i marrueshëm ,se hala ku rrinë burrat në odë – ai ngushtohet me hy !

Asht merakli i gjave , qi me mujtë tu kamtë e gjave ju des , se ai  asht zemra e gjave !

Në vetsh për tokë e punë të bujqësisë – ai asht zemra e tokës !Po, ai bre, des tu rraja e kallamboqit !

Po, si n’ vetsh për marifet – ai asht qaq marifetli , sa qi  n’ jetë t’ vet , qito vjet i ka ba , e hala  krahën , as pasqyre n’ xhep t’ vetin nuk ka shti ! Po, ai nuk di qysh krehen flokët bre, as qysh dredhohen , sikur qi poj shohim sot disa të rinj , qi po bajnë turli farë frizurash, e gjithë ditën po rrinë veç para pasqyrës !

Sa për punë – ai, aq asht punëtor , sa çka t’ ia shohin sytë – duert ja punojnë ! Bile, aq asht i zoti , sa krejt katuni e thërrasin:”Kungj e Laknur”!

Zoti i shtëpisë , u bind nga këto lëvdata dhe u çua e ia bëri  çikën për hajr – mesitit!

Pas një kohe që e përcolli çikën për nuse – vendosi që të shkoj e ta vizitoj çikën dhe dhëndrin , për t’ i parë se si po jetojnë !

Babai ,  e pyeti çikën e vet:

-Bijo, si po jetoni dhe si po kaloni me burrin?

Vajza iu përgjigj:

-Paj, more babë, si të jetojmë?!… Ky burri i jem , nuk po dike kurrgja me punue ! Për çdo punë, po jitke muhasere ! Beso që , ni kungj saji nuk po ditke me e ngulë vet !

Ni ditë, ju thye ni kamzë e shkamit, e ju dashtë me shkue e me e thirrën ni kojshi , për me ja ngjitë kamzën e shkamit !

Kur erdh kojshija me ja ngjitë kamzën e shkamit, i tha:

-Unë po ta ndreqi kamzën e shkamit, por duhet me ma qitë ni laknur!

Ni ditë tjetër, doli me e thurë ni gardh e nuk ditke me i marue as hujtë e gardhit! Shkoj apet e thirri atë kojshin, me ja marue hujt e gardhit, e mue mu dashtë apet mej qitë laknur !

Valla, bre babë, nime ky burri i jem ish kanë i zoti , bash qysh ka thanë mesiti:

“Kungj e laknur”!

Tregoi:

Refik Haliti, nga fshati Dobrosin, komuna e Bujanocit, më 1995.

Shënoi:

Demir KRASNIQI

IBRAHIM IBISHI-DUA TË JESH HËNË POETI

Posted in LETËRSI on Janar 11, 2009 by cakolli

DUA TË JESH HËNË POETI

Dua

Të jesh hënë poeti

Zjarr dhe qetësi

Në të njëjtën kohë

Dhe dramë e këngë

Të jesh kur ke vetmi

Dua

Të jesh zog perëndie

Që fluturon qiellit tim

Dhe gjëmë e këngë të jesh

Një ditë kur t’ikin ëndrrat

Të kthehesh të tregosh

Se je hënë poeti

Me kurorë xhevahiri – mbretëreshë

Dua

Zog i këtij qielli të jesh

Me plot shpresë në cicërrimë

Fashë drite e zvërdheme

Të shkëlqesh

Tek lëshohesh mbi dritaren time

Në mesnatë

Hënë dhe zjarr poeti

Të shkëlqesh e të jesh

ROMANCË PËR TY DHE MËNGJESIN ME SHI

Nga veranda e Agoras

Përjetoj përpëlitjen e shiut

Mbi gjethurinë e blinit

Dhe flokun tënd

Të ngatërruar me copat e gjumit

E shoh të gështenjtë të përgjumur

( Nëse do të jesh i lumtur thonë

Sajo një përrallë për të dashuren

Që ende fle e patrazuar

Në shtrat princeshe

Dhe vrojto detin e mërzitur

Nga puthjet e pikëlave të imta

E kaçurrelat e saj

Merri në gishtërinjt që të dridhen

Dridhen

Dridhen )

Prej këndej mundohem të të gjej

Në një bredhëritje të përhanshme

Dhomave të pallatit përballë

E nuk të gjej nuk të gjej

E nuk të shoh nuk të shoh nuk të shoh

E patjetër diku je ti

E unë dëshiroj të të shoh të të shoh

Kaçurrelat t’i përkëdhel nëpër shi

Nëpër shi nëpër shi

PRIT NJË HERË SA T’DEL VASHA

Hënë o hënë hënë hirushe

Në mesnatë prit e prit

Vonë kur ëndrra psherëtinë

Prit sa t’del vasha n’dritare

Sa t’del djali me violinë

Rri mbi kopshtin e përgjumur

Plot aromë jorgovani

L’sho fenerin në çardak

Puqi buzët engjëllore

Shfryje afshin mbi zambak

E dikur në fund të ëndrrës

Fshihe syrin në buzë mali

Hije e verdhë sa t’zgjatë nata

N’zemër t’djalit lulja e jetës

Trëndafil me gjemba ari

DIMËR SHIGJETARËSH

Nga mansarda që nuk e kam

Thith cigaren

Pastaj me tymin nëpër pullaze hidhem

Si galat kur krrokasin n’acar

E poshtë nipi në dhomën e prindërve

Kërkon diçka që emrin ende nuk ia di

Qan nga i’here

Me gjuhën time që s’e mbaj në mend

Sikur më thotë: gjysh unë e ti u lindëm sivjet

Pak ditë para vitit të ri

Në dhjetorin e ardhshëm

Do  të mbushim një shekull të zbrazët

Ndërsa unë përkëdhel mjekrën

Dhe me tymin e cigares udhëtoj

Hidhem nëpër ëndrra si bandill i vetmuar

Herë qaj si Erjoni

Herë si galat krrokat mbi pullaze

Në këtë dimër shigjetarësh

Një shekull nis e nuk mbaron kurrë

KUR TI FLE

Fle fle fle

Fle fle fle

Ti tashti fle

Fle fle fle

Dhe një nënqeshje në cep buze

Të miklon ëndërrën e pafund

E tashti ti fle

Fle e fle e fle

Unë engjëlli mbrojtës jam

I flokut të shkujdesur

Që ëndërron

E tashti ti fle

ËNDËRR NË BREG LUMI

Ti je romancë e lehtë

Që rrëshqet mbi valët e bardha

Në ditë vere me shi blerosh

Në këngën e dehur

Ti je akord i dhembshëm

Që tingëllon me jehonë

Ti je kaçurrel mbi çerpik

Ti je flutur në shi

Ti je aromë portokalli

Ti je vesë mbi trëndafil

Ti je puhizë në krahë bilbili

Ti je violinë jevgu në ekstazë

Ti je shkumë e bardhë mbi valë deti

Ti je çdo gjë që është e bukur

Si ta zëmë

Diell i fërguar në vaj mandarine

Pas bjeshkës së fundit

Në horizont

Dhe shushurimë vale në mesditë

Ti je pulëbardhë përralle

Dhe sirenë flokëverdhë

Me trup peshku

Ti je çdo gjë që magjepsë

Ti je lamtumirë e ndjeshme

Që lëngon

Ti je ëndrra ime

Në breg lumi tek pushon

KËNGË PËR SHEMIN

Sot vendlindjen e pashë

Vëllaun tim me dhe tek e mbulon

E çka mund të bëja

Unë kundër vdekjes

E çka mund tu thosha nipërve

Për babanë e tyre

Me gjithë atë barrë dergje

Në bebëzat prej qelqi

U thashë: Do ta këput xhaxhai

Një copë qielli dhe do të vrapoj

Anembanë fushave me luledhembje

Deri në amshimin e dehur

Tapë do të bëhem me kupën e helmit

Akoma më i vetmuar do të kthehem

Tek ju

E ju, u thashë, do ta kërkoni shpëtimtarin

Në rrebesh shiu e breshëri do të hasni

Nëpër ortekët e fundit në skaj bote

Do ta kërkoni

Dhe do ta gjeni një ditë

Rrugës nëpër ëndrra somnabulësh

Kur të tjerët baba do t’u thërrasin

PËRTEJ MASKE

Ata që na i futën thikat

Na i dhuruan edhe maskat

Dhe ne ta zëmë frymën tonë i vumë

Kur na i dërguan këto lodra ferri

Të fshihemi bukur na mësuan

E kur të dalim nga terri

Qyqe të bëhemi përgjithmonë

Kur e vë maskën në fytyrë

Ti e do një tjetër emër

Një tjetër gjini lakmon

Dhe një liri që të tjerëve u mungon

PËRTEJ MASKE

Ata që na i futën thikat

Na i dhuruan edhe maskat

Dhe ne ta zëmë frymën tonë i vumë

Kur na i dërguan këto lodra ferri

Të fshihemi bukur na mësuan

E kur të dalim nga terri

Qyqe të bëhemi përgjithmonë

Kur e vë maskën në fytyrë

Ti e do një tjetër emër

Një tjetër gjini lakmon

Dhe një liri që të tjerëve u mungon

KTHIMI

Dhe ti erdhe një natë

Kur ëndërrën më kulloti

Njëbrirëshi i përrallës

Dhe më the se zogjtë fluturojnë

Vetëm në vjeshtë e pranverë

E unë ikjes desh i besova

Kur u nise të shtegtoje me djallin

Nëpër arat me luledielli

Dhe ti erdhe një natë

Kur shi i dashurisë po sitej

Mbi çerpikë

Ti erdhe një natë

Bredhjen time të lodhur të më kujtoje

Nëpër ëndrra të egra

Të më ktheje në shtëpi

Një ditë apo një natë

Ti erdhe

Dhe ta dish s’ka aspak rëndësi

Cila ditë apo natë rrinte zgjuar

Në fushën e verdhë të kalendarit

Dhe unë nuk të prita në dritare

Andej nga shtegtojnë zogjtë e mallëngjimit

Të prita aty prej nga je nisur

Mu në ëndrrën e përjetshme

DHE PËRSËRI IKJA

Çdo gjë që ikë

Nuk është erë shiu

As moshë e dergjur thinjash

Mund të mos jetë viktima

Me vrasësin në vrap pas saj

Ajo që ikë

Me shpirtin maje qime floku

Si erë a si përftim pikëllimi

Shumë leht ti mund të jesh

Ajo që ikë

Dhe dikush që lëngon

Në shtratin e dergjes – për ty

Mund të jem unë ai që të përcjell

Tek ikë me trenin e fundit

Se nuk mund të jesh pranverë

Që shkon e kthehet

Pastaj perdja bie si në teatër

Dhe ikja bëhet pastaj ikje gjigante

Përgjithmonë
u1_ibrahimibishi1

IBRAHIM IBISHI-MAGJIA E SHKRIMIT

Posted in Uncategorized on Janar 11, 2009 by cakolli

IBRAHIM IBISHI

MAGJIA E SHKRIMIT

Unë fillova të lexoj përrallat e ilustruara vetëm në klasën e pestë të fillores ( të tilla ishin rrethanat e kohës sime ). Dhe, merreni me mend çfarë dëshire të marrë do t’i shkaktonte një fëmije katundari, të veçuar në një kodër bjeshke të pafund, ta zëmë “ E përhitura “, “ Llamba e Aladinit “, apo “ Borëbardha “ ?! Dhe, deshi s’deshi, ai fëmijë do të lakmonte fatin, në dukje të paarritshëm të këtyre personazheve, që më në fund do të arrijnë të mrekullueshmen e artë. Cili fëmijë ëndërrimtar nuk do të lakmonte të ishte princ ?! Cili fëmijë i çmendur nuk do ta dëshironte llambën magjike, me të cilën do të bënte të pamunduren ?!

Ndërsa unë isha një fëmijë i ndieshëm, i vetmuar, edhe pse shoqërohesha me të gjithë, që për çdo mbrëmje përcillja horizontin e praruar dhe mendoja se pas asaj vijës së pafund të imagjinuar të horizontit, kishte një botë tjetërfare nga kjo imja. I shihja me mendje fëmijët e lumtur se si luanin dhe shoqëroheshin, shihja qytetërime të lashta e rrokaqiej fantastikë, vëreja qiellin plot re, ku drangonjt e kuçedrat e bënin tymnajë hapsirën kaltëroshe…po çfarë nuk shihja në atë qiell të pafaj ?!

Dhe aty fillonte vetmia e madhe, një vetmi e përsosur, e cila e krijon atë njeriun tjetërfare. Dhe, me çdo kusht kërkoja një mundësi fantastike të shpërtheja këto mure gjigande që më ndanin nga lumturia.

Me kohën fillova të lexoj edhe gjëra më serioze dhe, nuk e di se si dëshirova të jem një udhërrëfyes i personazheve. Lakmova të bëhem shkrimtar. Dhe, tashti kur thonë se jam shkrimtar, më është kthyer ajo dhembja e fillimit. Përsëri jam i vetmuar. Jam shkrimtar e s’jam shkrimtar.!?

***

Këtë shkrim, mbi të qenit dhe të mosqenit shkrimtar, po e filloj me thënien e Ernest  Heminguejit: Përgaditja më e mirë për një shkrimtar, është një fëmijëri fatkeqe. Kjo në njëfarë mase qëndron, por nuk është tashti për tashti pikëmbështetja ime për këtë që dua ta them, sepse sipas meje, ka me miliona njerëz me fëmijëri më shumë se fatkeqe, e që nuk janë bërë shkrimtarë, ka me miliona njerëz  të varfër, por qe, vetëm ndonjëri prej tyre është shkrimtar. Ka plot njerëz të gjymtuar fizikisht, por që vetëm ndonjë prej tyre është bërë shkrimtar…

Nuk qenka, pra, fëmijëria fatkeqe i vetmi shkak i të skaliturit të njeriut në shkrimtar. Fëmijëria fatkeqe mund të jetë një pikë favori e një talenti me karakter të veçantë që kënaq veten e tij duke shkruar një gjeografi e histori shpirtërore që është pak a shumë realiteti jetësor i tij.

E çka e shtyn, pra, një njeri të shkruajë ?!

Të gjitha përgjijet e kësaj pyetjeje, deri më sot, vetëm janë mendime të hamendura, ose disa shkrimtarë kanë “ provuar të zbulojnë përvojat e tyre “ në lidhje me shkrimin, por vetëm kaq.

E pse shkruajmë, pra, pasi nuk e dimë pse shkruajmë ?!

Jam i vetëdijshëm se asgjë nuk duhet të përgjithësohet sa i përket ndjenjës së të shkruarit. Është e mundshme që të gjithë shkrimtarët e mirëfilltë të kenë të njëjtat ndjenja, qëllime e nxitje të brendshme, për kohën e të shkruarit, por ja  që nuk e thonë troç.

E pse shkruajmë, pra, kur nuk e dimë pse shkruajmë ?!

Mbase nuk e dimë se po bëjmë diçka të bukur, sepse shkrimtari gjatë kohës së të shkruarit përjeton një kohë dhe hapësirë krejt ndryshe nga ajo e vërteta! Ndoshta krijuesi yshtet, apo pëson magji, nga një situatë a përvojë e jashtëzakonshme, e cila “ me të aguar “ zhbëhet si një ëndërr e bukur. Dhe çka është me rëndësi të posaçme e që brengos tmerrshëm, kur shkruajmë diçka të bukur, tepër të bukur, ndalemi dhe e pyesim  veten, apo bëjmë sikur e pyesim: E si kam mundur unë ta shkruaj këtë?! Është e pamundur, themi kur me kërshëri të posaçme e lexojmë disa herë dhe, edhe pas kësaj dyshojmë se kemi ditur të shkruajmë aq bukur.

E ku është, pra, krijuesi gjatë kësaj kohe, kur ka shkruar diçka kaq të rëndësishme dhe të paimagjinueshme?! Për gjithçka mund të dyshojë përveç për atë se gjatë kësaj kohe transi ka qenë fikall vetëm në dhomë të punës, apo në dhomën e ndonjë hoteli me dritare që shikojnë nga deti.

Unë mendoj se shkrimtari i mirëfilltë është një qenie njerëzore me shenjë të veçantë dalluese, dhuruar nga vet zoti, në kohë të caktuar të jetës. Dhe çka të thuhet tjetër për këtë? Është diçka e ngjashme me atë të shpalljes së profetëve. Prandaj, siç nuk kanë mundur të bëhen të gjithë profetë, nuk do të munden të bëhen të gjithë as shkrimtarë. Përndryshe, ky do të ishte absurdi. Kjo do të ishte stërkeqje. Të gjithë ata, pra, që pretendojnë të bëhen shkrimtarë, duke u shtyrë me bërryla, nuk janë të tillë e më së paku shkrimtarët ideologjikë dhe ata që shkruajnë me porosi.

Të jesh shkrimtar i mirë do të thotë të jesh pak i çmendur, ashtu siç ishin profetët dhe apostujt, siç janë fallxhorët, magjistarët, parashikuesit e së ardhmes dhe zogjtë. Dhe

përjetë do të jesh një qenie e përçudshme ndërmjet njeriut dhe zotit: as në tokë, as në qiell. Gjithmonë do ta kërkosh me çdo kusht njeriun e ëndërres, do ta kërkosh dashurinë dhe lirinë magjike. Vazhdimisht do të rropatesh deri në çmenduri të jesh vetvetja dhe, kurrë nuk do t’ia dalësh, megjithëse do ta përdorësh edhe verën për ta çjerrë maskën e mashtrimit të vetvetes. Prandaj, gjithnjë do të jesh i vetmuar, nga se ti jeton në një tjetër botë, me të tjerë njerëz dhe të tjera perëndi.

E më në fund të shtrohet pyetja: A mos është e tmerrshme të jesh shkrimtar?!

Të kujtojmë gjykimin e babait të Enrik Vila Matasit, kur i thotë këtij: Të bëhesh Malro nuk është një karrierë, nuk studiohet në universitet! Dhe, këtë unë e lexoj kështu: Letërsia artistike nuk krijohet me rutinë. Atë duhet ta gëdhend mjeshtri me imagjinatë të përkryer, gati me një afinitet hyjnor.

Po të më pyetnin mua pse shkruaj, do ta ndieja veten të zënë ngusht, nga se nuk do të dija, vërtetë, të përcaktoja psehin e këtij veprimi sublim. Edhe nëse do të vendosja të përgjigjesha, do të provoja të kam parasysh ato nëntë pikat e Primo Levit, ato nëntë motovime, që sipas meje janë të mjaftueshme, dhe mbase nuk ka të tjera, kur një krijues “ detyrohet “ të shkruajë atë që do ta shkruajë.

Prej tyre do të veçoja motivimin, ku thotë: Ndiej ngacmim dhe nevojë. Pastaj, Të kënaq dhe të kënaqem, të çlirohem nga ankthi,dhe të bëhem i famshëm dhe i pasur njëkohësisht.

Ky do të ishte, mbase, vetëm një orientim sekondar, por ç’ndodh kur ia fillon të shkruash?! Asnjë prej këtyre motivimeve nuk të hyn në punë, nga se tashti ti je një qenie tjetër, mund ta quash hyjnore, jashtëtokësore apo djallëzore. Në ty futet një tjetër shpirt, duke të shporr jasht çdo gjë që vetëm pak më parë të ka takuar.

Kam lexuar dhe dëgjuar mendimet e shkrimtarëve të ndryshëm në lidhje me atë pse ata shkruajnë. Dhe, të them të drejtën, shumë prej atyre mendimeve më tepër ngjajnë në deklarime false të fryra me retorikë e filosofi sesa në ato motivimet e vërteta. Kam përshtypjen se disa nga ato janë fjalë idioteske.

***

Ja, edhe pse- hi i fundit.

E pse unë nuk u bëra shkrimtar i lexuar?! Nuk e di. E kur unë nuk e di, të tjerët nuk do të kenë si ta dinë. Megjithatë, nuk u zhgënjeva, prandaj do të krijoj dhe krejt për ta kënaqur vetveten dhe me këtë armë të fuqishme në dorë do ta mund vetminë shpirtërore, ta

mund vdekjen, që në shqip do të thotë ta mbaj veten gjallë dhe në qendër të vëmendjes, pasi më mungon një botë e shtensionuar, një parajsë e vogël.

Prapseprap, dyshoj se këto janë arsyet e vetme pse bëj një punë kaq të çmendur.

Ndoshta nuk ka ardhë koha ime ?! Kushedi.

Një lexues, ndër të rrallët, më tha mbase me shpoti: Librat tu do të lexohen me ëndje pas së paku dyqind vjetësh!

Aferim! – i thashë. Edhe kjo është mirë. Pas aq vjetësh, dëshmitarët e gjallë do të vdesin. Do të mbesin vetëm librat ( veprat ),  nëse nuk i djeg  ndonjë luftë e mundshme kundër krijuesve dhe intelektualëve.u1_ibrahimibishi

AKTUALITETE KULTURORE

Posted in Uncategorized on Janar 6, 2009 by cakolli

Aktualitete kulturore:

    • ÇORODITJE TË MËDHA NË SPEKTAKLET E MUZIKËS FOLKLORIKE DHE ATYRE HUMORISTIKE

Me pavarësimin dhe demokratizimin e vendit, në vend të gëzimit dhe krenarisë sonë, për aq shumë institucione kulturore, aq shumë grupe e ansamble muzikore, aq shumë mediume publike dhe të pavarura elektronike – shpeshherë lind dëshpërimi, zhgënjimi  dhe iritimi ndaj çoroditjeve dhe kundërvlerave aq të mëdha, me të cilat ushqehet shpirti, mendja, veshi dhe syri i spektatorit , i cili bie viktimë e këtyre çoroditjeve dhe kundërvlerave që i servohen ditë e më shumë përmes spektakleve të muzikës folklorike dhe atyre humoristike.

Çoroditjet e tilla, janë pasojë e joseriozitetit ndaj artit, kulturës dhe spektatorit, por mbi të gjitha, në to frymon mungesa e kritereve profesionale dhe përgjegjësia morale.

Për keqpërdorimet dhe çoroditjet  e mëdha që po i bëhen ditë e më shumë artit dhe kulturës sonë tradicionale kombëtare , mund të shkruhet me ditë të tëra, mirëpo kësaj radhe në vija të trasha do t’ i përmendim vetëm disa segmente, për të cilat mendojmë se janë më të prekurat dhe më të diskriminuara publikisht.

    1. Muzika burimore folklorike

Çoroditjet dhe diskriminimi më i madh gjatë viteve të fundit, nëpër spektaklet dhe mediumet tona publike, pa dyshim se po i bëhen muzikës burimore folklorike.

Diskriminimi dhe nënçmimi  më i madh po i bëhet kostumografisë sonë tradicionale, si nga ana e meshkujve, ashtu edhe nga ana e femrave.

Në radhë të parë, kotumografia që po përdoret sot , nëpër skenat e ndryshme publike, koncertale dhe spektaklet meditative, nuk përkon as për së afërmi me origjinalitetin dhe autoktoninë e tyre, nga se çdo krahinë shqiptare e ka kostumografinë e vet karakteristike që dallon me shumë çka nga kostumet e krahinave tjera.

Kostumet kombëtare, me të cilat këngëtarët, rapsodët, instrumentistët dhe valltarët folklorik na prezantohen me programet dhe spektaklet e tyre muzikore, kryesisht janë një kostumografi e kamufluar dhe e falsifikuar që është shumë larg burimit dhe origjinalitetit.

Përdoruesit e këtyre kostumeve, në radhë të parë, nuk dinë se si duhet veshur ato, madje shumica prej tyre dalin në skenë pa veshje të kompletuar kombëtare, duke mos qenë të vetëdijshëm se me këto veprime, i bëjnë nënçmime dhe përbuzje perlave të traditës sonë popullore.

Nënçmimet dhe përbuzjet më të mëdha po i bëhen plisit të bardhë, të cilin shumica e këngëtarëve, valltarëve, instrumentistëve dhe rapsodëve tanë popullor, hezitojnë që ta vënë atë simbol kombëtar mbi kokë, nga se frikësohen se do t’ ua prishë frizurat, kaçurrelat, gellin, llakun dhe sprejn mbi flokë, por mbi të gjitha , keqpërdoruesit e këtillë druajnë se po ta vënin plisin mbi kokë – do të bëhen tebdil dhe nuk do t’ i njohin dashnoret e tyre?!

Në skenat dhe spektaklet e muzikës burimore folklorike, qoftë në festivale, qoftë në spektaklet televizive, rrallëherë ndodhë që t’ ia shohim ndonjërit, opingat tradicionale të mbathura bashkë me çorapët, pastaj shokat ose nuk i lidhin fare, ose nuk dinë se si t’ i veshin e pastaj ato ju mbështillen nëpër këmbë dhe më në fund edhe ju bien nëpër skena!

Të njëjtat përbuzje të veshjeve kombëtare i hasim edhe tek femrat, të cilat përbuzjen dhe diskriminimin më të madh ia bëjnë shamive, të cilat rrallëherë mund të shihen mbi kokat dhe frizurat e tyre!

Ajo që të iriton më së shumti nëpër skenat dhe spektaklet e muzikës burimore folklorike, pa dyshim janë rapsodët popullor, të cilët këndojnë këngë të vjetra rapsodike me gjysmë veshje kombëtare, por pa plis mbi kokë?!

A nuk është nënçmuese dhe qesharake skena e tillë, kur rapsodi me çifteli del në skenë pa plis mbi kokë?! A nuk është përbuzje dhe nënçmim ndaj plisit të bardhë kombëtar, kur një rapsod –lahutar del në skenë për të kënduar ndonjë këngë legjendare, por pa plisin e bardhë kombëtar mbi kokë?!

Skenat koncertale dhe spektaklet televizive të muzikës burimore folklorike, marrin pamje edhe më të çoroditur, kur në skenë dalin grupe dhe ansamble këngëtarësh, instrumentistësh dhe valltarësh, ku gjysma prej tyre janë me plisa e gjysma pa plisa, gjysma e femrave me shamia , e gjysma pa shamia!

Atëherë, spektatori nuk di se a do të shohë vlera të veshjes kombëtare, apo vlera të kaçurrelave e frizurave të kurdisura tek floktarët enkas për këto spektakle?!

Në rastet e skenave të tilla, me doemos shtrohet pyetja:- Ku janë regjisorët, skenografët, etnografët dhe drejtuesit artistik të këtyre spektakleve?!

    2. Orkestrimi i moderuar i këngëve folklorike dhe orkestrinat e moderuara

Tentativat për ta moderuar këngën, vallen dhe instrumentin muzikor tradicional, nuk është asgjë tjetër, pos një devalvim i vlerave të trashëguara popullore, të cilat janë ruajtur shekuj me radhë brez pas brezi. Çdo ndërhyrje në ndryshimet e instrumenteve tradicionale dhe në këngët e vallet tona burimore, do të ishte devalvim dhe humbje e vlerave, ngjyrave dhe karakteristikave të tyre autoktone. Operimet e tilla, do të ishin të barabarta me një operator mjekësor – kirurg, i cili kokë në veti, do t’ ia amputonte njeriut dy palë duar, dy palë këmbë, dy palë sy, dy palë veshë….etj!

Pra , operimet e tilla, në radhë të parë i janë bërë çiftelisë, të cilës “operatorët profesionist” , ia kanë vu semitonet (gjysmë-tingujt) , me qëllim që ta shndërrojnë këtë instrument të lashtë e fisnik – në një instrument të temperuar e të moderuar, në mënyrë që të munden pastaj ta përcjellin çdo këngë e valle, nëpër shkallë të ndryshme muzikore!

Ndërhyrjet dhe çoroditjet e tilla mbi instrumentin e lashtë tradicional kombëtar, e rreshtojnë çiftelinë në familjet e instrumenteve të temperuara të vendeve të huaja, si që janë: primi, mandolina, buzuki e ndonjë instrument tjetër i ngjashëm !

Për t’ ua humbur shijen, ngjyrën dhe tingëllimën instrumenteve tradicionale kombëtare, keqpërdoruesit dhe “moderuesit” e muzikës sonë tradicionale, tani shkojnë edhe më larg drejt hulumtimeve të tyre “moderne”!

Ata, në kombinim me çiftelinë, do ta fusin edhe kitarën akustike, utin, bas kitarën, flautin, violinën, sintisajzerin dhe seksionet ritmike në vend të defit dhe tupanit tradicional, do t’ i përdorin efektet e sintisajzerit?!

Kështu që , me këto kombinime të “orkestracioneve moderne”, do të humbë përgjithmonë burimi, origjinaliteti, ngjyra dhe tradita e këngës dhe valles sonë autoktone!

Formacionet orkestrale me kombinime të këtilla instrumentale, më tepër iu përngjajnë orkestrave të tamburinëve hungareze, kroate, maqedone, bullgare, greke, turke… por jo muzikës tradicionale shqiptare!

Kur jemi tek modernizimi i orkestracioneve burimore, atëherë nuk mund të anashkalohet pyetja akute:

-Pse askujt deri më sot, nuk i shkoi mendja që ta themeloi një Ansambël të mirëfilltë në përbërje të instrumenteve tradicionale muzikore shqiptare, në përbërje të: lahutave, fyejve, kavalleve , mezhnicave, surlave, çiftelive, sharkive, defeve dhe tupanëve?!

    1. Repertori i këngëve folklorike pa kritere – pasojë e  mosnjohjeve etimologjike të këngëve

Në varganin e çoroditjeve të mëdha në skenat dhe spektaklet e muzikës tonë folklorike , bëjnë pjesë edhe përzgjedhjet e repertorit të këngëve nga ana e interpretuesve të tyre, me ç’ rast nuk përfillen absolutisht kriteret e këngëve për interpretim, me ç’ rast automatikisht vihet në dyshim se interpretuesit e këtij zhanri , nuk njohin etimologjinë e këngës që e marrin në interpretim.

Kështu që, në shumë raste, nuk logjikohet se cila këngë i takon gjinisë femërore, e cila i takon gjinisë mashkullore?! Cila këngë i takon gjinisë së moshuar (pleqve) e cila këngë i takon të rinjve?! Kur duhet të këndohen këngët e gëzimit, e kur duhet të këndohen këngët e pikëllimit?! Cilat këngë mund të këndohen me shoqërime të vallëzimeve koreografike, e cilat këngë nuk mund të vallëzohën?!

Nuk janë të rralla rastet, kur rapsodët meshkuj të moshuar dhe pleq , na prezantohen me këngët e dashurisë së të rinjve,  me tematikë skajshmërish erotike ,  këngë këto që nuk përkasin me etikën dhe moralin tradicional familjarë, nga se këngët e këtilla në kohërat e mëhershme kanë mundur të dëgjohen vetëm nga goja e çobanëve nëpër male dhe nga goja e mullixhinjëve, por as se si nëpër oda, dasma e ambiente familjare!

Për interpretuesit e kësaj kategorie, do të shtrohej pyetja :

-Ku është ndërgjegjja e tyre, para familjarëve të tyre: vajzave , rejave, nipave dhe mbesave të tyre?!

Ndërsa, për të tillët, një proverb popullor thotë:”Kryet gjog  e mendjen zog”!

Dhe për derisa të vjetrit na “argëtojnë dhe disponojnë “ me këso këngësh,  disa të rinj na prezantohen me këngët që u përkasin rapsodëve të moshuar dhe pleqve ?!

Nga mungesa e logjikës së përzgjedhjeve të repertorit të këngëve për interpretim publik, shpeshherë rezulton se meshkujt (burrat) i këndojnë këngët e femrave, siç janë ato të dashurisë, këngët dasmore dhe ato të konagjeçit !

Ndërkaq, femrat në të shumtën e rasteve i interpretojnë rapsoditë e burrave me tematika të ndryshme historike, epike, legjendare…!

Pra, thjeshtë, interpretuesit e sotëm të këngëve burimore folklorike, nuk i përfillin as moshat, as përkatësitë gjinore, me rastin e përzgjedhjes së repertorit të tyre.

Përbuzja dhe nënçmimi tjetër që po i bëhet në vazhdimësi këngës dhe muzikës sonë tradicionale folklorike, na vjen nga ana e mediumeve publike – elektronike, të cilat këtë zhanër të muzikës sonë e nëpërkëmbin pa kurrfarë përgjegjësie morale, profesionale, as kombëtare, nga se emisionet e sajuara me zhanrin e kësaj muzike, vazhdimisht emetohen në terminet më të pa përshtatshme kohore, kur adhuruesit e tyre besnik, as që kanë fare mundësi që t’ i përcjellin!

Emisionet e zhanreve të muzikës folklorike, ose emetohen në orët e para të mëngjesit, kur e gjithë bota është në gjumë, ose në orët e mesditës – kur adhuruesit e këtyre zhanreve gjenden në vendet e tyre të punës, ose në orët e para mbrëmjes, kur është koha më ideale për emisionet për fëmijë, apo filma të vizatuar?!

Sajuesit dhe hartuesit e këtyre emisioneve , e dinë fare mirë se sipas traditës sonë, kënga dhe muzika folklorike dëgjohet në orët e pas darkës e deri kah mesnata!

    1. Truprojat e këngëtarëve nëpër emisione dhe spote televizive

Nëpër spektaklet tona televizive, në emisionet e muzikës folklorike, si dhe në shumë spote të këngëtarëve, sikur është bërë “modë” që këngëtari, apo këngëtarja, gjatë xhirimit të shoqërohet me “truproja statiste” për rreth tij dhe prapa shpinës, ku me dhjetëra statist, gjoja, mundohen që t’ ia plotësojë dhe dekorojë skenën, me disa lëvizje qesharake të cilat ata i bëjnë,  gjoja, në emër të vallëzimit?!

Ato lëvizje të çakorduara me ritmet e këngës, të iritojnë, nga se nuk përkasin aspak me koreografinë dhe natyrën e këngës, por më tepër i përngjajnë truprojave të kryetarëve të shteteve, flladitjeve të këngëtarëve , pritjes së mizave e mushkonjave , që të mos e sulmojnë këngëtarin dhe të mos i hyjnë në gojë a në sy, gjatë xhirimit!

    1. Vallëzimet popullore

Vallëzimet popullore të cilat kultivohen sot nga grupe e ansamble të ndryshme muzikore, nuk e ruajnë autoktoninë, emërtimet , karakteristikat e vendeve dhe krahinave ku janë krijuar ato, as përmes stilit të vallëzimit, as përmes kostumografisë, as përmes orkestrimit!

Mungon koreografia profesionale.

Vallet e rënda të burrave dhe ato me karakter luftarak , më shumë tentojnë që t’ i luajnë femrat, kurse meshkujt (burrat) më me ëndje do t’ vallëzonin vallet dasmore të femrave!

    6. Spektaklet humoristike nëpër mediat tona publike

Thesari i humorit burimor popullor tek populli shqiptar është shumë i pasur, kuptimplotë, me porosi të qarta edukative, me tekst të matur që të bënë të qeshesh në të gjitha moshat dhe gjinitë. Por humorin popullor duhet vjelë, kultivuar dhe jetësuar në skenat publike.

Këtë dhunti të madhe të krijimtarisë gojore popullore, fatkeqësisht, skenaristët e humorit të sotëm , nuk e vjelin, nuk e kultivojnë dhe nuk e përfillin!

Skenaristët e humorit të sotëm, si duket, kanë mendjen se humori mund të bëhet vetëm me banalitete, fjalor rrugaçërie dhe budallallëqe të pa kurrfarë logjike!

Madje , në spektaklet e humorit të sotëm, mbisundojnë temat e amoralitetit, pornografia, lakuriqësia e tepruar, ku edhe gjestet e mimika të cilën e përdorin aktorët e humorit, tërësisht janë në shërbim të amoralitetit, banalitetit dhe degjenerimit të gjeneratave të reja!

Nga produktet e tilla të “prodhimeve vendore”, më së tepërmi e pësojnë gjeneratat e reja dhe fëmijët, që janë konsumuesit më të mëdhenj të këtij humori! Dëmi më i madh moral me këto humore po iu bëhet fëmijëve tanë që jetojnë në kurbet e që mezi presin që të shohin diçka në gjuhën amtare nga atdheu i prindërve të tyre, të mësojnë diçka, të argëtohen e të qeshin me vlerat e artit tonë humoristik !

Në spektaklet tona humoritike televizive, si duket “aktorët e humorit modern demokratik”, janë vu në garë se cili prej tyre do t’ përqeshë dhe tallë më mirë se tjetri, fytyrat dhe personalitete më të shquara të artit, kulturës dhe jetës sonë politike?!

Duken të mjerë dhe të shëmtuar ata “aktorë – humorist” , të cilët nuk hezitojnë që t’i përqeshin, imitojnë dhe nënçmojnë p.sh. Migjenin, Lulin e Vocërr, Lasgush Poradecin , Çajupin –  emrin e të cilit madje, nuk e citojnë në origjinal, por më me ëndje e thërrasin:”Çupi” e shumë personalitete tjera të shquara të historisë, artit dhe kulturës sonë kombëtare.

Imitimet dhe talljet e këtyre “shoumenëve” të humorit, në llogari të liderëve tanë politik dhe udhëheqësve të vendit, janë bërë mëlmesë e këtyre spektakleve, mu sikur biberi mbi gjella ! Nuk dua që ta marrë në mbrojtje asnjërin nga liderët as udhëheqësit e vendit tonë, por nuk duhet harruar e vërteta se këta liderë dhe udhëheqës shtetëror , janë produkt i vet votave tona! Andaj, ata duhet respektuar deri në përfundimin e mandatit të tyre, e jo t’ i mësojmë fëmijët që t’ i urrejnë dhe imitojnë nëpër rrugë, çerdhe e shkolla!

Ku ishin humoristët tanë , në kohërat e okupimit, që nuk guxonin as t’ ua përmendnin emrat diktatorëve dhe kasapëve të popullit tonë?!

Çoroditjet edhe më të mëdha të spektakleve tona humoristike, na vijnë nga disa pseudo- aktorë, të cilët humorin e tyre na e prezantojnë në rolet e romëve, turqve, serbëve, apo të ndonjë minoriteti tjetër?!

Rolet e tilla, janë më se të pa nevojshme dhe nënçmuese për humorin shqiptarë. Dihet se të gjitha minoritetet që jetojnë në Kosovë, i kanë të drejtat dhe liritë e barabarta me popullin shqiptar! Madje, secili minoritet i ka edhe emisionet e veta kulturore e informative në Radio Televizionin Publik të Kosovës! Andaj, konsiderojmë se rolet dhe humoret e tilla, nuk paraqesin asgjë më tepër për teleshikuesin shqiptar, pos shprehje e një nostalgjie për të kaluarën e “Vëllazërim – Bashkimit” serbo-jugosllav!

    1. Humori në stilin e dylberëve dhe  artistëve kastratë

Për këngët e ashikëve dhe dylberëve, kemi shkruar disa herë më parë përmes komenteve dhe analizave të ndryshme, por tani kur jemi tek spektaklet tona humoristike, përveç banaliteteve, zhargoneve të rrugaçërisë dhe amoraliteteve që na i prezantojnë “artistët” e humorit, përmes ekraneve tona televizive, nuk janë të rralla edhe humoret që na paraqiten në stilin e dylberëve dhe të artistëve kastratë!

Kur shohim tendenca të këtilla në skenat tona humoristike, nuk mund të anashkalojmë nga pyetja e domosdoshme:-A mos, vallë, po na rikthehen epokat e dylberëve dhe kastratëve në skenat e arteve tona?!

    Por të sqarojmë për lexuesit e nderuar se çka ishin artistët kastratë dikur?

Në fund të shekullit të XV-të, kur lindi opera e parë në historinë e muzikës, nuk kishte femra të cilat do t’ i këndonin rolet e tyre në skenat operistike. Andaj, regjisorët dhe kompozitorët e operave, ishin të shtrënguar që në vend të femrave, të angazhonin meshkuj, kryesisht të rinj, që kishin zë të lartë dhe pamje pak sa më të përafërt me femrat. Ata, i angazhonin që të këndonin në rolet e femrave dhe pas një kohe, meshkujt e tillë pranonin me dëshirë që të kastroheshin (tredheshin), me qëllim që të mos iu ndryshojë ngjyra e zërit dhe tiparet e femrës. Këngëtarët e tillë, atë botë quheshin këngëtarë kastratë!

Derisa, për rolin e dylberëve e dinë të gjithë lexuesit, se ata kanë qenë meshkuj të cilët janë veshur me rroba të femrave dhe kanë lidhur dashuri me meshkujt të cilët janë quajtur “ashikë”!

Tani, po i kthehemi spektakleve tona humoristike, ku ka disa vite që teleshikuesit e humorit tanë, ushqehen edhe me role të meshkujve, të cilët pa fije turpi, vishen me rroba femrash, shminkohen, ngjyrosen dhe bëjnë frizura femrash, për ta luajtur ndonjë personazh femre nga trevat tona?!

Në shekullin e 21-të, kur kemi universitete, akademi të arteve dramatike dhe një armatë femrash – artiste të specializuara e që shumica prej tyre bredhin rrugëve të pa puna, është më se absurde që dikush prej meshkujve të angazhohet në role të femrave, qoftë në aktrim, humor, apo këndim?!

Trendet e tilla, nuk kundërmojnë art e humor, por kryekëput rikthim në rolet e dylberëve dhe të këngëtarëve kastratë!

Pra, është treni i fundit që të eliminohen nga skena aktorët, humoristët dhe këngëtarët e këtillë, nga se populli shqiptarë është mjaftë i civilizuar , i arsimuar dhe i vetëdijshëm, se këta lloj artistësh më së paku i duhen skenave të artit dhe kulturës shqiptare!

    Gjilan, më 05.01.2009.      Demir KRASNIQI

nga folklori ynë muzikor

Posted in Uncategorized on Janar 1, 2009 by cakolli

Nga folklori ynë muzikor:

SHPËRNGULJET E SHQIPTARËVE NË KËNGËT TONA POPULLORE

Dhuna , përndjekjet , shpërnguljet dhe gjenocidi serbo- malazezë, mbi popullatën e pafajshme dhe të pambrojtur etnike shqiptare, nuk kanë pushuar asnjëherë gjatë shekujve të kaluar, për të mos pushuar as sot e gjithë ditën.

Këto ngjarje të rënda dhe të përgjakshme , kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e kombit shqiptar, por të gjitha këto ngjarje tragjike, kurrë nuk janë harruar as nga gjeniu i ynë krijues muzikor, i cili ndonëse i pa liri dhe i pa shkollë, ka ditur që me një mjeshtri të rrallë krijuese, t’ i shënojë këto ngjarje në mënyrë kronologjike, t’ i këndojë ato brez pas brezi dhe t’ i ruaj me besnikëri dhe origjinalitet deri në ditët e sotme.

Ndonëse, shpërngulje, dhunë dhe gjakderdhje të shkaktuara nga regjimet e egra të barbarisë serbo-malazeze, mbi popullatën etnike shqiptare, ka pasur në përmasa të mëdha gjenocidale, edhe krijuesit tanë popullor, janë mundua që t’ i shënojnë, t’ i këndojnë dhe t’ i ruajnë të gjitha. Por, vetëm gjatë shekullit XIX dhe XX, populli shqiptar i përjetoi tri shpërngulje masive nga trojet e veta etnike, të cilat u shënuan me dhunë të pa parë, vrasje e persekutime me përmasa tragjike, të cilat bota e civilizuar nuk ka pasur rast që t’ i shohë askund tjetër mbi rruzullin tokësor !

Shpërnguljet e para masive të shqiptarëve nga trojet e tyre etnike, fillojnë që nga viti 1875 – 1878, për të vazhduar më pas, në mënyrë zingjirore me elaborate dhe konventa të planifikuara nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë.

Në vitin 1878, pra në prag të mbajtjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, pushteti serbë i atëhershëm, me dhunë dhe aksione të përgjakshme, i përzuri nga trojet e veta etnike mbi 780 copë fshatra shqiptare , nga Sanxhaku i Nishit, Leskovcit, Kurshumlisë dhe Jabllanicës.

Shqiptarët e përndjekur nga ato anë, quheshin “muhaxhirë” , që në gjuhën turqishte do të thotë:”ardhacakë”!

Në gjurmimet tona të vazhdueshme , në fushën e folklorit burimor shqiptar, kemi arritur që t’ i shënojmë vetëm disa këngë të këtij lloji, prej të cilave duket se në mënyrën më reale dhe besnike, kësaj ngjarje i këndon varianti i këngës, të cilën po ua sjellim lexuesve në vazhdim:

1. KANGA E MUHAXHERËVE

O, për shqiptarët, o, haj medet-e,

O, gjithmonë desin, o, për gazep-e!

O, naj noq shkau, o, pej venit t’  vet-e,

O, po naj vret, o, e po naj pret-e…

O, pej  Beligradit, o , deri n’ Kik-e,

O, po naj pret , o, shkau me thik-e!

O, pej Surdullit , teri n’ Kurshumli –e,

O, po shkon gjaki , o, sikur shi-e!

O, se pej Nishit , teri n’ Sitili –e,

O, po shkon gjaki , o, sikur prrue.

O, pej Leskocit e teri n’ Vrajë-e,

O, poj therrë shkavi, o, e poj vran-e!

O, pleq e thmi, o, bini shahadet-e,

O, se shqiptarët , o, maruen krejt-e!

O, Zoti i qoftë,o , krejt në xhenet-e,

O, Zoti na pjektë, o, me ta n’ ahiret-e !

O, nam po banë, o, qajo Serbi-e,

O, poj çon para, o, me singi-e,

O, tanë tu i myt-e, o, tu i shpërthye,

O, keq maroj, o, kjo shqiptari-e !

O, po therrë thmi, e , o po pret plqe-e,

O, kush s’ ka ba, o, n’ dynja ma keq-e!

O, po prenë burra, o , po prenë gra-e,

O, ksi adaleti, o, kush n’ dynja s’ ka ba-e!

O, çka po banë,o , qajo Serbi-e,

O, n’ dynja, kush s’ka ba ma zi-e !

O, n’ dynja kush s’ ka pa me sy-e ,

O, nanave – thminë n’ bark ty jav shpërthy-e!

O, nanave n’ bark – o , thminë me jav  nxjerr-e,

O, veç Serbija e banë kit tmerr-e!

O, veç Serbija kit tmerr e ban-e,

O, gjallë shqiptarët nuk don mej lan-e!

O, kshtu po ban, o, qajo Serbi-e,

O, mirë e dinë, o, qata krajli-e !

O, Serbisë – krajlat , o, poj nimojn-e,

O, na shqiptarët, o, krejt po marojm-e!

O, çka kanë bjeshkët, o bre, qi ushtojn-e?

O, muhaxherët , o bre, kah po shkojn-e!

O, kanë lanë gja e kanë lanë gjallni-e,

O, kanë lanë tokë , oh, bre, kanë lanë shpi-e,

O, kanë lanë vorbën n’ oxhak tuj zije !…

O, se pej shpije, o, bre, kur o janë dal-e,

O, gja me veti, o, sun kan marr-e !

O, veç nër sjetulla, o çka kanë shti-e,

O, kryet ma mas s’ kanë guxue me kthye !

O, para singijave o mi kanë çue ,

O, n’ bjeshkë t’ pa njohshme , o, mi kanë shti-e!

O, nuk dinë t’ shkretit, oh, kah me tfillue ,

O, kanë hup udhën, s’ dinë kah me shkue!

O, haj medet , për këta muhaxheri-e,

O, deshë e dathë, o, ty u mërdhi-e,

O, bukë pa hangër, o, ujë pa pi-e,

O, desin n’ borë, t’ shkretit, desin n’ shi-e !

O, për muhaxherët, o , haj medet-e,

O, si korrilat , o, n’ mjegull, o, kanë met-e,

O, s’ ju del Zot, as qaj baba mret-e,

O, pa Zot, metën shqiptarët e shkret-e!

O, çka kanë bjeshkët, o qi , o, ushtojn-e?

O, muhaxherët, oh, bre, s’ dinë kah shkojn-e!

O, njani – tjetrit, o , za poj bajn-e,

O, po ma thirrin, o, shoqi – shojn-e!

O, çka kanë bjeshkët, o, qi ushtojn-e?

Oh, muhaxherët, o bre, po vajtojn-e!

Oh, poj vajtojnë ata qi kanë dek-e,

O, po e kajnë vetën, o, qi gjallë kanë met-e!

O, pej se janë dalë, o , pej t’ zezës shpi-e,

O, bukë s’ kanë ngranë, o, as ujë s’ kanë pi-e!

O, n’ kto bjeshkë t’ shkreta tuj u farue,

O, s’ dinë as vet, o, kah janë tuj shkue?!

O, ditë e natë, o, në borë e n’ shi-e,

O, nanave – thmija n’ gji ju kanë ngri-e!

O, s’ kemi za, o bre, me vajtue,

O, s’ kem takat, o t’ gjalltë n’ kamë mej çue!

O, s’ kemi krah, o , të ligtit mej bajt-e,

O, nuk ka kush, o, n’ prehen mej majt-e!

O, shumë po desin e na kanë dek-e,

O, s’ kemi ujë – xhenazet, o , mej lajt-e,

O, s’ kemi kaci – vorret mej marue ,

O, s’ kemi xhematë, o, n’ vorre mej lshue,

O, s’ kemi drrasa, nuk kemi çefin-e,

O, se ka tre, o ne ni vorr poj shtin-e!

O, ka tre vetë, o, ne ni vorr i kem lshue,

O, se me borë, o, i kemi mlue !

O, shumë na metën , o, n’ dhe pa i shti-e,

O, krejt poj hajnë , o , korbat e zi-e!

O, sheh Islami, o, fjalë, o , ka çue –

O, muhaxherët, o , po desin krejt-e !

O, kush ka dinë , qi bjen shahadet-e,

O, për muhaxherët, o, bani gajret-e!

O, kush ka dinë, o, qi asht insan-e,

O, për muhaxherët, o, gajret le t’ ban-e,

O, muahxherëve, konak ju ban-e !

O, konak ju banë, o, i shtin mren-e,

O, mrena i shtin, o, ju kallë zjerm-e,

O, ju kallë zjerm, o, trupin ta shkrijn-e,

O, ju jep bukë, o, barkun ta ngijn-e!

O, ta shkrijnë trupin, o, e ta nxejn-e,

O, ju shtron mirë, o, rahat le t’ flejn-e!

O, ju shtron mirë, o, le t’ flejnë rahat-e,

O, ni troh gjumë, o rahat ta bajn-e,

O, ju vlon ujë, o, trupin ta lajn-e!

O, se ju çon , o , Zoti n’ xhenet-e,

O, se jav kthen, o , Zoti n’ ahiret-e!

O, pej se kanë dalë, o, pej t’ zezës shpi-e,

O, bukë s’ kanë hangër, o, ujë s’ kanë pi-e!

O, pej se kanë dalë, pej vatanit t’ vet-e,

O, trupin , t’ mjerët, kurrë se kanë nxe-e!

O, sheh Islami, o, fjalë ka çue –

O, muhaxherët, o, n’ kangë mej vnue,

O, n’ kangë mej vnue e shumë mej knue,

O, shumë mej knue e shumë mej vajtue,

O, mej vajtue , o, shumë mej lotue,

O, hjekat e tyne, o, mos mej harrue,

O, hjekat e tyne, o, s’ muj mej kallxue,

O, as mejteplija s’ munet mej shkrue!

O, telegram, o, pej babës dovlet-e:

“O, arnaut, o, ju qindroni vet-e!

O, sikur n’ dashit, unë, me ju nimue,

O, për Turki, ju duhet me u shkrue!

O, hajde e dilni, o, ju në Turki-e,

O, ju jep tokë, baba, ju jep shpi-e,

O, ju çon baba, n’ Anadolli-e,

O, jav blenë baba, ka ni penë kije,

O, n’ Ajllak, baba, ka me ju shti-e!”

O, krejt dynjaja, o, po bajnë seri –

O, pa vatan, met kjo shqiptari-e,

O, as nji krajl s’i ka nimue,

O, kurrë n’ dynja, s’ kish pasë mik i mjeri!

*****

Këtë këngë e ka kënduar Hanumshahe Krasniqi – Kastrati, e lindur më 1910 , në fshatin Dajkoc, komuna e Kamenicës. Nuk ka ditur shkrim-lexim, as gjuhë të huaj.

Babai i saj, Asllan Krasniqi , ka qenë i internuar në Burgun e Shkupit, në Kala. Prej vitit 1912 – 1919, ka qenë kaçak.

Shumë herë ka qenë i torturuar, si nga turqit, ashtu edhe nga serbët e bullgarët. Jetën e ka shpëtuar duke shitur tokë dhe bagëti për t’ i paguar terroristët.

Këngën nga goja e nënës së vet, Hanumshahes, e ka shënuar biri i saj: Adem Kastrati, me profesion:piktor, nga Karaqeva e Epër, më 1971, i cili një kohë të gjatë ka jetuar dhe punuar në Shkup, ku edhe ka vdekur.

Këngën ia ka dhënë amanet, këngëtarit Demir Krasniqi, që ta ruaj, ta këndojë dhe ta publikojë gjithandej trojeve dhe krahinave shqiptare.

Demir KRASNIQI

Elaborati i Serbisë, për shpërnguljen e popullatës shqiptare nga trojet e tyre etnike, nuk kishte të ndalur. Ajo, përmes një konvente të fshehtë me shtetin e Turqisë, vazhdon që t’ i shpërngulë shqiptarët për në Turqi, gjithnjë nën parullën se ata janë “turqë” dhe se ata që nuk duan të shpërngulen, do të detyrohen që ta ndërrojnë fenë e të bëhen serbë !

Nga kjo trysni e vazhdueshme, mbi 300.000 familje shqiptare janë shpërngulur në Turqi. Edhe për këtë plagë të rëndë e të pa shërueshme, gjeniu ynë popullor diti të thurë e të këndojë shumë këngë rrëqethëse, për t’ ua kaluar brezave të rinj dhe për t’ iu treguar atyre se çka janë shpërnguljet, çka është dheu i huaj dhe sa peshon vendlindja jonë!

Nga cikli i këngëve që iu kushtohen shpërnguljeve të shqiptarëve në Turqi, për lexuesit tanë të nderuar, kemi zgjedhur vetëm dy, për të cilat mendojmë se do ta përshkruajnë mjaftë origjinal jetën e shqiptarëve në Turqi dhe mallin e tyre ndaj vendlindjes e atdheut!

2. KANGA E MIXHËS AHMET

A po ngoni, more vllazni-e,

Ju shqiptarë – kosovali-e,

Faqebardhë – musteqezi-e,

Qet kangë du me vnue n’ ujdi-e,

Veq s’ po m’ shkon pa çiteli-e:

-Jam ba i mjeri , o, gyrbetxhi-e,

Shita tokë e shita shpi-e,

Shita dhenë e shita dhi-e,

Shita mal, shita mulli-e,

Lash vllazni e kushëri-e,

I lash  sebepe  e miqasi-e,

Lash katunin me gjithë nahi-e,

U çova erdha unë, në Turki-e!

Qe tri vjet n’ Turki jam dal-e,

Kërkun punë s’ mujta me marr-e!

M’ ka dekë nana e m’ diq ni djal-e,

S’ pat n’ xhenaze kush me m’ ardh-e!

Kam kujtue se rrnoj n’ Stamoll-e,

E m’ rrou dreqi në Anadoll-e!

Në ni tokë jam hi çipçi-e,

Mjell duhan e shti n’ vargji-e,

Po punojmë me gra e thmi-e,

Natë e ditë si asht ma zi-e!

Me ju dhimtë gurit e drunit,

Na u ka prrekë barku prej unit!

N’ kolibë lloçi jemi tuj rrnue,

S’ kemi magje me gatue,

S’ ka mulli se ku me blue,

Me ujë shiu jem tuj gjallnue,

Pi ka i pikë kur jam shtrëngue,

Si me kanë ujë i Abu Zem – Zemit,

E jo ma llom i xhehenemit!

-Nuk kam knues, n’ sabah me m’ knue,

Nuk kam gja me bajtë dru-e,

Me bajtë dru e me bajtë uj-e,

Qilloj larg e n’ shpinë s’ po muj-e!

Çika e re – s’ guxon me shkue,

Grueja plakë – s’ munet me pru-e!

Jemi ba si qymyrxhija,

Përlye t’ mdhajtë e përlye thmija!

More vllazën, besë t’um zeni,

Ujë me la kërkun nuk kemi!

Jo, s’ kam desh, nuk kam ogiça,

Nuk kam delme, nuk kam kingja,

Nuk kam lopë, as nuk kam kije,

Se ma kali, s’ ka as n’ nahije!

Nuk kam qen me m’ lehë në der-e,

Veç ni dhi jem tuj e mjel-e,

E fatkeqja ka nisë me shterr-e!

Na shkriu zhegi, more vllazni-e,

S’ kun lis, nër hije t’ rri-e!

Na ka rrokë kjo malari-e,

S’ ka ilaçë n’ krejt këtë nahije,

Për me dekë te tanë jemi shtri-e,

N’ këto shkretina të Anadollit,

He, u raftë bumja e atomit!

T’ ishim vetëm, s’ pe kam dert-e,

Shumë shokë t’ mi janë n’ kit siklet-e!

Shpesh po mblidhem e pe bajmë dert-e:

Na shkuen thmija e maruem vet-e!

I kujtojmë fjalët e Mixhës Ahmet-e:

“Guri hjek ranë n’ ven të vet-e,

Po duel prej venit – vjen ma leht-e!”

Qysh duel qashtu, he haj medet-e!

N’ gjynah t’ madh paskemi sharrue ,

Tash po lypet me e pague,

Deri n’ shpirt, o, me u përvlue!

M’ ka marrë malli për Mixhën Ahmet,

Sod për s’ gjalli, po i knoj rahmet-e!

Na vrau ahti i t’ parëve tan-e,

Nanë –  Kosova, qi e kemi lan-e!

Kur m’ kujtohet veni i jon-e,

Mentë prej krejes me m’ luejt po don-e!

Hija e babës, po m’ del përpara,

M’ del krejt shpija, e m’ del ara,

M’ del livadhi e m’ del torishta,

M’ del ogiçi me gjithë kingja!

Gurtë e lisat po m’ dalin para,

M’ dalin dajët e m’ del kumara,

M’ dalin shokët e m’ del krejt fisi,

T’ madhe vajit atëherë ja krisi!

Tash , selam ju çoj , more vllazni-e,

Bytym marë, juve, shpi për shpi-e,

Shka m’ gjet mue, mos t’ gjett ty-e,

Ishalla shumë, o, n’ gjynah s’ ke hi-e!

*****

Kjo këngë popullore (që nuk i dihet autori) gjendet e botuar në revistën :”Jeta e Re”, Nr. 4/1958, faqe 511-512,  në Prishtinë.

Po të njëjtën, e ka botuar edhe këngëtari legjendar Qamili i Vogël – Muhaxhiri, në librin e tij:”Tre hasjanë”-Prishtinë, Janar 1963.

3. PËR VLLAZNI JAM PËRMALLUE

Ngoni vllazën, ju n’ dashi me ngue,

Krejt t’ vërteta due me ju knue,

Ngoni mirë, pra, i madh e i vogël,

Se po m’ rrjedhin lot’t si gogël .

Unë ni kangë po due me knue,

Për vllazni jam përmallue,

Kur m’ bjen n’ men qysh kem kalue,

Në Jallaqë qysh kem jetue!

N’ kodra t’ nalta prruem – prrue,

Shumë kem hjekë, shumë jem munue,

N’ shpija t’ vjetra shpatum – shpat,

N’ llama t’ gazit natë për natë .

Te mullini kur shkojshum me blue,

Tre sahat kemi udhtue,

Nëpër akull, n’ shi e n’ borë,

Bluejshum n’ mokna , drithë me dorë !

Rrugë nuk kishte n’ at shpat mali,

Bajshum n’ krah , rrallëherë me kali!

S’ kishte shkollë ngat për me msue,

N’ rekë t’ Meshinës, u dashke me shkue !

N’ rekë t’ Meshinës, te xhamia,

Me gzim shkojshum burrat e thmija !

Kem rrnue mirë me shumë sevda ,

Rrijshum bashkë, kurrë s’ jemi da !

N’ at Malësi , që i thonë Gollak ,

Tana t’ mirat i kem pas bollak .

Shumë zabele  e shumë livadhe ,

Ara t’ bukës e pemë gjithë fare .

Dhenë e lopë shumë n’ ato vjet ,

Çilerët mushun plot bylmet .

Hahej buka me lezet ,

Qitshum trejte netë për net…

Si e ka pas adet Malësia ,

T’ ejtum – t’ejte qitshum flija .

Vishin miqtë e jabanxhija,

Kriske kanga e çiftelia .

N’ odat tona kishte hijeshi,

Muhabet me shumë sajgi ,

Vishin vllaznit e krejt kojshija,

Lojë e gaz u kënaqshin thmija .

Por për neve s’ ish kanë kismet,

Në Jallaqë gjithmonë me metë!

Jo me dashje, as prej kurumit,

Por prej zorit e prej zullumit !

Na u desht t’ ikim prej katunit,

Veç me pshtue pa dekë pej drunit ,

Për do pushkë që i lypke dushmani –

Na u desht t’ ikim prej vatani !

Se katilat ju kanë kallxue –

Kush t’ rrinë ktu, fenë ka me e nrrue!

Nuk durohen korbat e zi –

Do t’ na hajnë me gra, me thmi !

Janë mledhë burrat, janë kuvenue –

Çka me ba , çka me marue ?!

Kanë venosë n’ Turki me shkue ,

Pej dushmanit diqysh me pshtue !

Në Turki, kur jemi dalë ,

Isha i vogël , s’ kam ditë ni fjalë !

Kur u rrita n’ këtë ven të shkretë –

Mirë e pashë çka na ka gjetë !…

Pse n’ Turki, erdhëm n’ at dimën,

Pse ja kthyem vatanit shpinën,

Kur ke viti pesdhetë e gjashtë ,

Pse kem ikë dashtë e pa dashtë ?!…

I lamë tokat , i lamë shpitë ,

I lamë djepat, ku jemi rritë ,

I lamë hijet , ku kem pushue,

I lamë rrugët , te dajtë kah kem shkue !

I lamë vorret e të parëve ,

I lamë odat e baballarëve ,

I lamë çilerët , krojet e shtallat ,

I lamë gjyshet , ku naj msuen prrallat !…

A po ngoni, ju, o vllazni ,

Ju shqiptarë që shkuet n’ Turki ,

Pej  at ditë , n’ Turki qi shkuet –

Zemrat tona naj  shkrumuet !

Pej at ditë , qi jemi da –

Zemrat tona , shkrum janë ba .

Nuk dimë gzim  n’ dimën, as n’ verë,

Sytë pej lotve , kurrë pa u terë !

Mërzi t’ madhe për juve kemi,

Kur m’ bjen n’ men qi bashkë nuk jemi !

Sa herë t’ bajmë darsma e mledhija –

Vaj e lot na mushet shpija !…

Bijat tona , kur po kajnë –

Gurë e dru në mal poj thajnë !

Vajtojnë bijat për babë e nanë –

Vajtojnë venin, ku e kanë lanë !

Vajtojnë motrat, net për net –

Nuk ka kush me na ba zjaret !

Nuk jem n’ dasma, nuse me marrë ,

S’ kem vllazni, me na marrë n’ t’ parë!

-Mlidhen n’ t’ parë , shoqet e mia ,

Mue fatzezën , m’ plaki vetmia !

Vetun n’ shpi , rri tuj menue ,

Haj medet, kuku për mue !

Qysh me rrnue gjithmonë me mallë,

Qysh me u da njeri për t’ gjallë ,

Shkrumi n’ zemër , po don me m’ kallë,

Pa pas t’ afërm , ni herë me u çmallë ?!

Qofsh mallkue, mori Turki ,

Qysh me m’ da pej prinve t’ mi ?

Qysh me u da n’ darsma e n’ deka ,

Pa m’ pa kush , pa mi ditë kto hjeka ?!

M’ rritet djali me e martue ,

Darsëm baj , po s’ di me u gzue !

Po m’ thrret djali:”Nanë, paja – paja ,

A thue n’ darsum, do t’ na vjen daja ?!”

S’ kam kunata, n’ darsëm me m’ nimue,

Nuk kam bija , nusen me ma knue !

S’ kam kërkan , me ma përhajrue ,

S’ kam vllazni , krushqi mej que !

Nuk kam motra, me dalë me vallzue ,

Nuk kam nipa , në kerr mej que ,

Nuk kam babë , dhanrrin  me e shti ,

Nuk kam vlla, me qitë allti !

Nuk kam dajë , me ma ngrehë bajrakun ,

Nuk kam halla, qi ma çplojnë duvakun,

Nuk kem surla , nuk kem tupan ,

Nuk janë darsmat sikur n’ vatan !

Në Turki , na t’ gjithë ku jetojmë –

Venin tonë kurrë se harrojmë !

Dushk e bari, sa ka n’ gjithë dynjanë –

Aq të fala n’ Kosovë, po ju bajmë !

Sa ka deti ujë e zallë –

Për Kosovë, na kemi mallë !

T’ gjithë shqiptarët kudo kofshin –

Bafshin darsma e u gëzofshin !

Djem e çika si lulat u shtofshin ,

Jav dhashtë Zoti e përparofshin ,

Me shumë t’ mira u kujtofshim ,

Kurrë për jetë mos u harrofshim !

*****

Kënga është shënuar në gjuhën lokale të vendit ku edhe është krijuar e kënduar. Pra, në dialektin gegë, ashtu siç flitet në krahinën e Malësisë së Gollakut.

Këngën e ka thurë dhe kënduar Ismajl Shukri Bucaliu, me rastin e  vizitës së tij të parë që ia bëri familjes së tij, të gjerë në qytetin Bursa të Turqisë, në vitin 1969.

Familja Bucaliu, nga fshati Jallaqë – komuna e Kamenicës, ishte shpërngulur nga dhuna dhe represioni okupues i pushtetit serbë, në vitin 1958 .

Këngën ( të cilën ia le amanet autori i ndjerë për ta ruajtur, kënduar dhe publikuar), e ka shënuar Demir Krasniqi, në vitin 1998 dhe të njëjtën e ka botua në librin e tij autorial:”Gjakon Kosova”, në Gjilan, më 1998.

Demir KRASNIQI

Shpërnguljet e treta të popullatës shqiptare, nga trojet e veta etnike, do të realizohen në vitin 1999, nga regjimi fashist i Sllobodan Millosheviqit, i cili për realizimin e këtij elaborati, e vuri në veprim terë arsenalin dhe makinerinë e tij ushtarako-policore. Kështu që populli autokton i Kosovës, duke mos pasur kurrfarë mbrojtje, iu nënshtrua gjenocidit, djegieve, vrasjeve dhe përndjekjeve të dhunshme për në Maqedoni, vende të dyta e të treta, me qëllim të një spastrimi etnik dhe krijimit të një Serbie të pastër etnike.

Duke iu falënderua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, SHBA-ve dhe aleatëve të NATO-së, më 12 Qershor 1999, Kosova njëherë e përgjithmonë çlirohet nga fallangat e regjimit serb, për t’u shpall shtet i pavarur dhe sovran më 17 Shkurt të vitit 2008.

Ndër qindra këngë, që gjeniu ynë popullor ua kushtoi këtyre ngjarjeve, përndjekjeve dhe gjenocidit serbë, mbi popullatën e pafajshme dhe të pambrojtur shqiptare, ne për lexuesit tanë të nderuar, zgjodhëm vetëm njërën prej tyre, duke menduar se përmes kësaj kënge, pasqyrohet  më së miri shpërngulja e shqiptarëve të Kosovës, në vitin 1999.

4. BLLACA E TMERRIT – KAMP I FERRIT

Nëpër shekuj vazhdoi përpjekja –

Mbi shqiptarë t’ bëhej përndjekja ,

Me i përzënë prej trojeve t’ veta ,

N’ Andaoll e n’ vende t’ treta!…

Egërsi forcash barbare –

Mbi çdo gjë që është shqiptare!

Mbi shqiptarët duarthatë –

Bëjnë hakmarrje, bëjnë fushatë!…

Kurrë barbarët s’e ndalen sulmin,

Në muajin Mars, arritën kulmin!

Në muajin Mars, Nëntëdhjetë e Nëntë,

S’ duan shqiptarë n’ Kosovë për t’ lënë!

Marsi i Kuq – Nëntëdhjetë e Nëntë,

Forcat serbe janë çua në këmbë,

Mbi shqiptarë do të bëjnë nam ,

Prej Kosovës me i përzënë !

Forca t’ mëdha me shumë ushtarë,

Milici, paramilitarë…

E kanë skuqë Kosovën n’ gjak –

Mbi shqiptarë duke marrë hak!

Tanke, topa, ushtarë, çetnikë –

Bëjnë me dhunë spastrim etnik!

N’ territoret kosovare –

Duan t’i qesin shqiptarët fare !

Më 24 Mars, Nëntëdhjetë e Nëntë,

Forcat e NATO-së me aeroplanë,

I filluan bombardimet –

Në Kosovë, për t’ i ndalë krimet!…

Mbi Serbi – bomba çdo kund,

Gjenocidit për t’ i dhënë fund !

Në tmerrim u tund Serbia ,

Mbarë ushtria e milicia!…

Pse bënë NATO-ja bombardime –

Mbi shqiptarë sulen me krime !

Pse kërkojnë shqiptarët të drejta –

Me i përndjekë prej trojeve t’ veta!

Marsi i Kuq – ai Mars i shkretë,

Nuk harrohet kurrë për jetë,

Për ata që u dëbuan

Dhe ata që n’ shtëpi qëndruan !

31 Marsi – s’ harrohet kurrë,

Rrjedhin lotët porsi gurrë…

Një lum njerëzish kur i përzunë –

Prej shtëpive i nxorën me dhunë!…

Pleq  e plaka dhe fëmijë –

Jo më pak se njëqind mijë!

N’ stacion t’ trenit n’ Prishtinë –

Presin urdhrin për n’ Luginë!…

Presin t’ vijnë trenat e zi –

Me i përcjellë n’ Maqedoni,

Autobusë, kamionë të vjetër ,

Për n’ Shqipëri, a ndo ‘i  vend tjetër!…

31 Marsi – një mbrëmje e TERRIT –

Shkojnë shqiptarët në rrugë të TMERRIT!

N’ Luginë t’ lotëve, Luginë t’ FERRIT –

Si n’ Aushfic, n’ regjim t’ HITLERIT!…

N’ Kamp të Bllacës – n’ atë baltë të gjallë,

JETA – VDEKJES i rrinë për ballë!

N’ DASMË T’ MJERIMIT – të rinjtë BASHKOHEN,

Me lot dhembje – KURORËZOHEN!…

Lindin foshnje – jetët sosën,

Hiq pa rite – aty varrosën .

N’ baltë të Bllacës, plot trishtim –

Prehen njerëzit në AMSHIM!

Nga përndjekjet e barbarëve –

Bllaca u bë – FERR I SHQIPTARËVE!

Mbi atë baltë – populli jetonte,

Mbi ta – qielli po lotonte !…

N’ Luginë t’ Bllacës – n’ atë ferr të shkretë,

Nuk do t’ shuhen shpresat për jetë!

Duart drejt Zotit, do t’i  shtrijnë –

Vëllezërit në ndihma do t’ ju vijnë !

Ju vijnë në ndihma vëllezërit shqiptarë –

Shkup, Tetovë e Gostivar,

Kumanova, Dibra, Kërçova ,

T’ marrin vëllezërit nga Kosova !

T’ gjithë drejt Bllacës u drejtuan –

Kosovarëve në ndihmë ju shkuan,

Me lot vëllezërish u përqafuan,

Shumë familje i strehuan.

Hapen zemrat dhe shtëpitë ,

Hapen shkollat dhe xhamitë ,

Ju dhanë ujë dhe bukë ju shtruan,

Nga kjo mortje i shpëtuan.

N’ Gostivar e n’ fshat me fshat –

Mbushë shtëpitë me refugjatë .

Pleq e plaka, gra e fëmijë –

U strehuan tetëdhjetë e pesë mijë!…

Ndër shumë fshatra nga Gostivari –

Ky Çegrani, priu ma i pari,

Hapen dyert për strehim,

Pesëdhjetëe pesë mijë gjetën shpëtim!…

Lindin shpresat – bien mërzia ,

Angazhimet nga mjekësia,

Hapen shkollat për mësime,

Dhe kuzhinat për ushqime.

Si në lindje, ashtu në vdekje –

Për shpëtim u bënë përpjekje!

T’ gjitha lindjet, t’ gjitha vdekjet –

Atje u bënë qysh janë adetet!

N’ Gostivar, n’ Teqe t’ Tetovës,

Për dëshmorët e Kosovës –

Mbajtën “Mbrëmje Përkujtimore”,

Iu zien hallve “Përshpirtërore”!

Një lehonë – nuse e Kosovës ,

U vendos n’ spital t’ Tetovës .

Në spital kishte ndërrua jetë,

Por nuk shkoi si nënë e shkretë!

S’ ishte e shkretë, ajo shpirt ngrate –

Në Simnicë, ishte refugjate.

Në Simnicë të Gostivarit –

U varros me nderë t’ shqiptarit.

Humben fëmijë – s’ pushonte vaj,

U nda vajza , prej prindërve t’ saj !

Vajzës së vogël – dyvjeçare ,

Gostivari i bëri çare.

Në familje e strehuan,

Si fëmijë t’ vetin e adaptuan.

Rritet vajza e thotë:”Kam prind,

N’ Gostivar – thotë – unë kam lindë!”

Mediumet i mbajtën lidhjet,

N’ mes familjeve – me familjet!

Ishte e madhe kjo ndihmesë,

Për t’ jetuar ndo ‘i  ditë me shpresë!

Për tre muaj, sa këtu qëndruan,

Shumë i këqyrën dhe u munduan.

Gostivari u betuan –

Nuk bënë dasma, as s’ u  fejuan!…

Pas shumë vuajtjesh – erdhi KËTHIMI ,

Përqafohen DHEMBJA E GËZIMI,

Për një NDARJE e MIQËSI TË RE,

Për një JETË, që mbeti ATJE!…

Drejt Kosovës, shkrepin sytë –

ATJE , mbeti FAMILJA E DYTË!

Këto familje kurrë s’ harrohen ,

Shkuarje – ardhjet gjithnjë shtohen!

Në çdo djep të kosovarit –

Këndohen ndihmat e Gostivarit,

Këndohen zemrat e bujarisë,

Për gjithë vëllezërit e Maqedonisë,

N’ gjithë ahengjet e shtëpisë,

Dhe në DASMËN E LIRISË,

Gjithmonë së bashku do t’ festojmë ,

Kurrë për jetë nuk ju harrojmë!

*****

Këtë këngë e thuri dhe e këndoi autori:Demir Krasniqi, i cili edhe e publikoi në librin e tij, me titull:”Dritë lirie” në Gjilan, më 2008, faqe 26-32.

Gjilan, më 01.01.2009.      Demir KRASNIQIff5fbe23-dfb6-4b8a-b707-1eea413f06f3