reüportazh

NË RIKTHIM TË SHPIRTIT TË MALËSISË SË GOLLAKUT

Malësia e Gollakut – krahinë kjo që shtrihet në pjesën verilindore të Republikës së Kosovës , shënon vijën kufitare me shtetin e Serbisë fqinje . Territori gjeografik i kësaj Malësie , administrohet nga këto komuna: Prishtina, Podujeva, Novobërda, Kamenica, Bujanoci, Vraja dhe Medvegjëja .

Që nga mbirjet e para të popullit autokton shqiptarë mbi këto troje etnike , kjo Malësi ka shërbyer nëpër shekuj si beden i gjallë , në mbrojtje të kësaj popullate nga luftërat, sulmuesit dhe armiqtë e shumtë, që pareshtur iu vërsulen këtyre maleve , përmes të cilave synonin grabitjen e tokave shqiptare , plaçkitjet dhe masakrat e përgjakshme mbi këtë popullatë të pafajshme dhe të pambrojtur!

Malësorët e Gollakut, qëndruan dhe rezistuan me stoicizëm dhe heroizma të pa parë në histori , por kurrë nuk ia kthyen shpinën kësaj Malësie legjendare dhe heroike. Ata jetuan dhe mbijetuan nën kushtet më të rënda për ekzistencë, por asnjëherë nuk u zhgënjyen dhe nuk u gjunjëzuan para okupatorëve , plaçkitësve, grabitqarëve dhe kasapëve të etur për thithje të gjakut shqiptarë!

Deri pas përfundimit të Luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 1999, kjo Malësi thuajse ishte tërësisht e izoluar nga bota e qytetëruar , nga se nuk kishte as rrugë , rrymë elektrike, shkolla, spitale, fabrika… dhe jeta këtu, sa vinte e bëhej çdo ditë e më e rëndë !

Të shtyrë nga këto rrethana , banorët e kësaj Malësie , filluan të kërkojnë rrugë të tjera për të mbijetuar dhe për t’ i shkolluar fëmijët e tyre!

Pjesa më e madhe e këtyre banorëve u detyruan që t’ i braktisin vatrat dhe trojet e tyre stërgjyshore dhe të migrojnë nëpër qendra të ndryshme urbane , madje shumë prej tyre u shpërngulën edhe në Turqi!

Djalëria e kësaj Malësie, që përbënte krahun më të fuqishëm për punë , u detyrua që t’ ia marri udhët e gjata të kurbetit të zi – rrugë këto që për shumë kënd u bënë të pakthyeshme !

Kështu që, brenda 3- 4 dekadave , kjo Malësi mbeti e vetmuar, si një Nënë e mjerë – pa bijtë dhe bijat e saj !

Bijtë dhe bijat e lindura nga kjo Malësi trime, kudo që janë duke jetuar, qoftë brenda Kosovës, qoftë në diasporë , jetojnë me ëndrra se një ditë do t’ i kthehen kësaj Malësie dhe se me kthimin e tyre – do t’ ia rikthejnë edhe njëherë shpirtin, jetën, krenarinë dhe bujarinë që e kishte dikur Malësia e Gollakut!

Me çlirimin e Kosovës dhe me shpalljen e saj – shtet sovran, e pa varur dhe demokratike, shpresat e bijve dhe bijave të kësaj Malësie, sa vijnë e shtohen për një rikthim në vatrat, vendlindjet dhe trojet e tyre stërgjyshore , për një jetë më të mirë dhe për një ringjallje shpirtërore !

Me çlirimin, pavarësimin dhe demokratizimin e Kosovës, mund të vërehen trende pozitive në drejtim të ringjalljes dhe ripërtërimjes kudo në trevat e Malësisë së Gollakut. Kjo vlen sidomos në krijimin e infrastrukturës rrugore , në ndërtimin e disa shkollave dhe renovimin e objekteve të vjetra shkollore.

Në odën e mësuesit Zahir Bekteshi në fshatin Gllogovicë

Të nxitur nga malli, nostalgjia dhe dëshira e papërshkrueshme e disa qytetarëve të shpërngulur që moti nga kjo Malësi, për të iniciuar rikthimin në trojet e tyre stërgjyshore, një grup entuziastë nga Prishtina , të prirë nga rapsodi Gani Demolli , me prejardhje nga fshati Gllogovicë , në bashkëpunim me disa njerëz të arsimuar që ende jetojnë në këtë fshat, më datën 16 Dhjetor 2008, kishin organizuar një mbrëmje tradicionale mu në odën e mësuesit Zahir Beketshi.

Organizatorët e kësaj mbrëmje tradicionale, kishin ftuar njerëzit e tyre që jetojnë në Prishtinë, Gjilan , Kamenicë e gjetiu.

Atë mbrëmje oborri i odës së mësuesit Zahir, oda dhe poçet elektrike të fshatit Gllogovicë, dukeshin më të gëzuara dhe më të ndritshme se kurrë më parë. Ato ishin krenare që këtë mbrëmje do të presin mysafirë nga të katër anët!

Atë mbrëmje, oborri i odës së mësuesit Zahir, ishte i vogël për t’ i nxënë veturat që po vinin nga Prishtina, Gjilani e Kamenica. Ishte një mbrëmje e errët, ku mjegullat e dendura i kishin ngulfatur të gjitha majat, brigjet dhe kodrinat e Gollakut. Larg nga malet dëgjoheshin ofshamat e maleve, të cilat përballeshin me stuhi të fuqishme erërash, të cilat paralajmëronin një dimër të vështirë!

Para derës së odës, mësuesi Zahir , së bashku me vëllezër, djem, kushërinj , ishin rreshtuar krenar dhe po i pritnin mysafirët me përqafime të ngrohta, shtrëngime duarsh dhe buzëqeshje krenarie .

Që në hyrje të odës, qëndronin dy djelmosha të rinj, të cilët ua merrnin valixhet mysafirëve dhe ua vendosnin këpucët e tyre në trapazanin e odës. Burrat (mysafirët) që ishin brenda në odë, qëndronin në këmbë duke iu dëshiruar mirëseardhje mysafirëve dhe duke i udhëzuar ata, se ku do të uleshin, gjithnjë duke i respektuar moshat dhe largësitë e mysafirëve. Zoti i shtëpisë, qëndronte në këmbë i buzëqeshur, i gëzuar, i hareshëm, duke iu uruar mirëseardhje të gjithë mysafirëve! Gëzimi i madh, nuk e linte që të ulej!

Në një kënd të odës, ndizej një stufë e vjetër tradicionale e cila kujdesej për ngrohjen e mysafirëve. Djemtë e rinj, nuk ndalen dot duke i shërbyer mysafirët ashtu si që e kërkon tradita e këtyre maleve.

Oda ishte zbukuruar si kurrë më parë me një pamje solemne, mbi të cilën ishin shtruar qilima tradicional kuqezi, jastëk, sixhade, jana, që të gjitha punim tradicional i veknave të nënave, nuseve dhe motrave tona malësore.

Kryeplaku i odës – mësuesi veteran i këtij fshati, zotëriu Hasan Bekteshi, pasi na njofton të gjithë të pranishmëve në mes veti, e merr fjalën dhe evokon me nostalgji për të kaluarën e fshatit Gllogovicë.

Ai, pos vuajtjeve dhe përjetimeve të tmerrshme në të kaluarën e këtij fshati, flet për migrimin, shpërnguljet dhe kurbetin e malësorëve të kësaj ane. Në sytë e tij, të njomur nga lotët e mallit, shprehej dëshira dhe dashuria e tij, për arsimimin e brezave të rinj të këtyre anëve, ku ndër të parët ishte që e kishte mbaruar Shkollën Normale në Prishtinë. Ai, ishte bërë udhërrëfyes i shumë djelmoshave të rinj, të cilët nga dëshira e madhe për tu bërë mësues si ai, ia kishin mësy shkollimit dhe sërish iu kishin kthyer fshatit e vendlindjes për t’ ia falur kontributin e tyre, shkollimit , arsimimit dhe emancipimit të gjeneratave të reja të këtij fshati.

Në vazhdim të rrëfimeve të tij, mësuesi Hasan, fliste me nostalgji për fshatin e tij të dashur – Gllogovicën, ku para disa dekadash kishte numëruar mbi 60 shtëpi (familje), kurse tani, ky fshat mezi i afrohet 20 shtëpive?!

Por, ai nuk e fshihte optimizmin se ndoshta do të rikthehen banorët e shpërngulur nga ky fshat, duke llogaritur në infrastrukturën rrugore , që asfalti kishte mbërri deri në fshatin Krilevë, që i lidhë me Kamenicën dhe Gjilanin, kurse vitin e ardhshëm kjo rrugë do të asfaltohet edhe deri në Hajkobillë, ku do të lidhën edhe me Prishtinën!

Po ashtu, mësuesi Hasan, fliste me krenari për faktin se në këtë fshat sivjet është ndërtuar shkolla e re , ku nxënësit e këtij fshati do të mbarojnë 9 klasë të shkollës fillore.

Historiku i odës së mësuesit Zahir Bekteshi

Ne, që patëm rastin, nderin dhe privilegjin që të jemi pjesëmarrës të kësaj mbrëmje madhështore , ishim kureshtarë që të mësonim diç më shumë rreth historikut të odës së mësuesit Zahir, ku po bënim aheng!

Për historikun e kësaj ode, mësuesi Hasan Bekteshi, na tha:

“Kjo odë, ka një traditë dhe lashtësi hiq më pak se 100 vjeçare !

Në këtë odë, ku jemi ne sonte, kanë hëngër bukë dhe kanë pushuar breza e breza, gjenerata e gjenerata, miq , jarana e shokë nga të katër anët e Gollakut, Anamoravës dhe Kosovës, luftëtarë, trima, patriotë, dijetarë, pleqnarë, kalimtarë të rastit, tregtarë!…

Po, kush nuk ka hëngër bukë në këtë odë dhe në shumë oda tjera të Malësisë së Gollakut?!

Dhe, ja, se pas 100 vjetësh , duke i falënderuar Zotit të gjithëfuqishëm, duke iu falënderuar rapsodit tanë – Gani Demollit dhe duke ju falënderuar të gjithë juve që keni ardhur sonte në këtë Malësi, na u bë e mundshme që t’ i ripërtërijmë kujtimet dhe traditat tona, kënaqësitë tona shpirtërore, me të cilat jemi rritur, edukuar dhe argëtuar, ne, baballarët, gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë!

Sot, vetëm në lagjen tonë, kemi mësuesit:Zahir,Gani,Hasan,Zenel, Fadil, Blerim Bekteshi dhe shumë shkollarë të tjerë që janë të rinj, entuziast dhe shpresoj se këto gjenerata do të hedhin dritë e dituri më shumë, jo vetëm në këtë fshat, por në gjithë Malësinë e Gollakut!”

Darka në odën e Zahir Bekteshit

Bisedat, evokimet dhe kujtimet sikur nuk kanë të sosur. Në ato momente, para mysafirëve të radhitur në të katër anët e odës, hyjnë dy djelmosha të rinj: njëri me ibrik dhe legen në dorë e tjetri me një peshqir .

o Urdhëroni e lani duart se do të hamë darkë !

Djelmoshat tjerë të paprintueshëm, i sjellin në odë tri sofra të mëdha druri, në të cilat mund të darkojnë nga 15 mysafirë! I shtrojnë ato dhe mysafirët ulën për rreth tyre. Sofrat mbushen me të gjitha të mirat e bereqeteve tradicionale familjare.

Specialitet e para të kësaj darke ishin flijat e pjekura me saç dhe të mestitura me mazë të bulmetit shtëpiak.

Kosi i nxënë me tambël lope, ishte i pamazitur dhe mezi e çante luga!

Uji i burimit nga mali, që shkëlqente në gota porsi biluri, dukej se po na i hapte dhe pastronte edhe mushkëritë e mbuluara me tymin e gjeneratorëve të qytetit dhe me baltën e gypave të ujësjellëseve artificiale të qytetit!

Ushqimi i tradicional natyral dhe uji i pastër si biluri nga krojet malore, na i shndriti sytë dhe na i pastroi telat e zërit, ku ishim të gatshëm që t’ ia themi këngës, ma mirë se bilbilat !

Kënga e rapsodëve popullor

Pas ngrënies së darkës dhe pirjes së çajit, radhën e kishte ahengu dhe kënga tradicionale rapsodike, të cilën mezi e pritnin mikpritësit vendor dhe mysafirët e pranishëm!

Rapsodët e ndryshëm popullor, me veti kishin marrë çiftelitë, sharkitë, instrumente tjera dhe kostumet tradicionale kombëtare.

Pa humbur kohë, të gjithë i akorduan instrumentet dhe kënga filloi. Qetësia mbretëronte në odë, sa dukej se edhe miza po të fluturonte, do të dëgjohej.

Rapsodët kënduan me gjithë afshin e tyre, këngët më të dashura të jetës së tyre që nga Skënderbeu e deri te Adem Jashari ! Në shenj nderimi dhe respekti ndaj këngës dhe rapsodëve, pas çdo përfundimi të këngës – ata nderoheshin me duartrokitje frenetike nga ana e mysafirëve të pranishëm.

Rapsodët këndonin me rend dhe me kujdes të matur burrëror, kurse asnjëri nga mysafirët e pranishëm gjatë kësaj mbrëmje, nuk shtini me armë të zjarrta, sikur që ishte zakon dikur në ndejat e tilla, kur njerëzit e pa përgjegjshëm shtinin me armë zjarri, e prishnin atmosferën e mysafirëve, e prishnin tavanin e odës dhe shkaktonin rreziqe të pa parashikueshme!

Gjatë kësaj mbrëmje të paharrueshme në odën e mësuesit Zahir Bekteshi, në fshatin Gllogovicë, morën pjesë dhe kënduan këta rapsodë popullor: Kadri dhe Xhemajl Duraku, nga fshati Lupç i Ulët , komuna e Podujevës, Ajet Grajçeci dhe Gani Demolli nga Prishtina, Demir Krasniqi dhe Xhemajl Berisha nga Gjilani, Hetem Matoshi dhe Selman Maliqi nga Kamenica, si dhe grupi muzikor i të rinjve të fshatit Gllogovicë, i udhëhequr nga Blerim Bektashi.

I tërë ky aheng dhe kjo mbrëmje e paharrueshme u regjistrua nga ana e kameramanit Bekim Shillova nga Kamenica.

Në fund të kësaj mbrëmje, të gjithë pjesëmarrësit u ndanë të kënaqur me shpresë se edhe në të ardhmen, një traditë e këtillë do të vazhdojë edhe në fshatrat tjera të malësisë së Gollakut dhe me porosinë unanime për të gjithë ata që nuk janë ma në Gollak:

“Kthehuni, ndërtoni, punoni ,argëtohuni dhe kënaquni në Gollak!”

Gjilan, më 16 Dhjetor 2008. Demir KRASNIQI

Advertisements

2 Përgjigje to “reüportazh”

  1. muhamet bekteshi Says:

    faleminderit per keto komente po desha te pyes se nje inxhizim qeu bane at ode at nate ku mund ta gjej.

    • z.Muhamet me vjen keq por per inqizimin ne fjale une nuk kam njohuri,ndoshta do te mund te merrni pergjegjeje nga Martin Cuni apo Pal Sokoli

      rrespekt dhe gjithe te mirat per ju.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: