DEMIR KRASNIQI”KËNGË KRISMASH LIRIE”

E marte, 11-11-2008, 08:47pm (GMT)

VEHBI IBRAHIMI – UGLARI

I. Ideali

Vëllai i besës – dritë e shpresës ,

Është simboli i qëndresës ,

Atdhetar e patriot ,

Krah i shqipes – krah i fortë !…

Luftëtar për ideal ,

S’ pat stuhi që mund ta ndalë !

Me këtë trim , që u lind n’ Uglar –

Do t’ krenohet kombi shqiptar !

Bimë e mbarë e nënë – lokes ,

Ishte nxënës i Mustafë Kokës .

Për bashkim t’ tokave arbërore –

Ushtar i denjë ishte prore !…

Me guxim , qëndresë stoike ,

Nuk e mposhti kurrfarë klike !

Për bashkim t’ trojeve etnike –

Një Shqipëri demokratike !

Ishte i qetë me shpirt të madh ,

Gjak i pastër , fytyrë – bardhë ,

Kishte t’ fortat ideale ,

Që u mbollën në këto male !…

Çdo detyrë që iu besonte –

Pa hamendje e mbaronte…

Nuk punonte për lëvdata ,

Për pozitë , as dekorata !…

Burrë besnik , me zemër t’ madhe

Për kauzën tonë kombëtare ,

Me qëllime madhështore

Për këto troje stërgjyshore !…

II. Për Bashkimin Mbarëkombëtarë

Në muajin prill – 68-të,

Takoi trimat e vërtetë :

Metush Krasniqin , Vehbi Bajramin ,

Që luftojnë për idealin !…

Me shumë forca përparimtare –

E formuan Shoqërinë Shqiptare !

Që t’ jetësohet ideali –

E pagëzuan “Ismail Qemajli”!

Këtë Shoqëri demokratike ,

Me synime patriotike ,

E formuan forcat stoike ,

Që t’ jetësojnë Shqipërinë Etnike !

Në qytete , n’ fshatra , n’ male –

Do t’ përhapin ideale !…

Në Gjilan e në rrethinë –

Terë fuqinë , Vehbiu e shkrinë…

Për veprimet patriotike –

I ranë n’ gjurmë hordhitë armike ,

T’ prirë nga UDB-ja jugosllave ,

Në Gjilan dhe Anë Morave …

Por Vehbiu , ai vigjilent ,

Këtë skenar e kuptoi shpejt !

Për t’ i mposhtë kurthet dhe UDB-ën –

Për mërgim e mori rrugën !

Shpejt u gjet në Austri ,

Ku punonte me shoqëri …

Për t’ shpëtuar nga pushteti –

Gruan e fëmijët i mori me veti !

Përveç punëve familjare ,

Kryente punët atdhetare…

N’ mision të shenjtë kombëtar –

Rekrutonte shumë shqiptarë !…

Vehbi Ibrahimi , ai atdhetar ,

Aktivist i dorës së parë ,

U dallua ndër mërgimtarë ,

Për BASHKIMIN MBARËKOMBËTARË!

-T’ gjitha forcat me i bashkua ,

Një shtet t’ fortë për t’ a formua !

Ballë për ballë me i dalë Serbisë ,

Me i ndalë hovin e barbarisë !…

III. Kuvendi Kombëtar

Në Kuvendin Kombëtar ,

Vet Vehbiu , pjesë ka marrë .

N’ atë Kuvend , kanë debatua –

T’ gjithë partitë për t’ u bashkua !…

T’ “djathta” , t’ “majta” – pa dallim ,

T’ gjithë shqiptarët në një BASHKIM !

Rreth :”BESËLIDHJES KOMBËTARE

DEMOKRATIKE GJITHËSHQIPTARE!”

Gjithë çka pati grupe e parti –

N’ këtë “BESËLIDHJE” ishin shkri !

Të gjithë e kishin një qëllim:

“T’ bëhen t’ fortë me një BASHKIM !”

Merr detyrë me besnikëri –

Për të ardhur në Vushtrri !…

Nga UDB- ashët , nga tradhtari –

Rrezikohej veprimtari…

Me sukses , detyrë ka krye –

N’ Austri , prapë ishte kthye .

UDB-ja , n’ gjurmë shpejt i ka ra –

As atje, rehat s’ e la !

Duke i parë këto gjurmë rreziku ,

Që i kanosej nga armiku ,

Mori vendim për të ikë –

Të strehohej në Belgjikë !

Në Belgjikë , n’ atë vend të shpresës ,

Ai, qëndroi der’ n’ orë të vdekjes !

Misionet ndaj Atdheu –

Asnjëherë nuk i ndërpreu !…

IV. Një shtet kanë gjithë shqiptaria

-S’ do t’ shikojmë “djathtistë” , “majtistë”…

S’ do t’ shikojmë krahinë , as fis ,

S’ do t’ shikojmë grupe , as fe –

Komb i vogël , jemi ne !…

-Të gjithë kem’ për t’ u bashkua –

Një shtet t’ fortë për ta formua !

Nuk i kem’ njëqind Shqipëria –

Një shtet kanë t’ gjithë SHQIPTARIA !…

-Shteti ynë , është SHENJTËRI –

E ka emrin: SHQIPËRI !

SHQIPËRI DEMOKRATIKE –

Me gjithë tokat e saj etnike !

Idealet u shtrinë në male –

Lindi Ushtria Çlirimtare

E Kosovës legjendare ,

Për çlirim t’ tokave shqiptare !

Gjallë, Vehbiu , sa vepronte ,

Këtë Ushtri , gjithmonë ëndërronte :

“Po të kishim një Ushtri –

Unë për te , do t’ isha shkri !”…

V. Jataku i atdhetarëve

Aktivist e atdhetar ,

Ishte mikpritës e shumë bujar .

Për shqiptarë , kudo që kishte –

Dera e tij , e hapur ishte …

Për shqiptarët nga këto strof’lla –

Gjithmonë shtruar rrinte sofra !

Janë me qindra dhe me mija ,

Që ju jepte bukë Vehbia !…

T’ gjithë shqiptarët që kanë ikë ,

Për t’ shpëtuar në Belgjikë ,

Të përndjekur prej sllav – shkjavit ,

Ju ndihmoi si vëllai – vëllait !

Shumë bukëshkelës , ia kanë ngrënë bukën ,

Pasandaj ia përmbysën kupën !…

UDB-ja sllave i kishte dërgua –

N’ bukë të vet , për ta tradhtua !

N’ atë SHËRBIM SEKRET të sllavit –

Printe UDB-ja e Gjilanit ,

Me shqipfolës , t’ ardhur n’ rregzina ,

UDB-ës së shkjaut , iu bënë opinga !…

Vehbiu , mirë i njihte punët ,

Aq më tepër, edhe spiunët !

Por ndaj tyre sillej butë –

S’ ishte i prirë t’ i pres në bukë !…

Me urtësi , fliste me orë –

Nga tradhtia t’ heqin dorë !

Sepse koha do të ndryshojë –

Historia, do t’ i gjykojë !…

Shumë prej tyre , nuk e kuptuan –

Me tradhti , sërish vazhduan !

Si sadistë e si dhunues –

Shërbëtorë t’ sllavit – okupues !…

VI. Hijet e përndjekësve

Këlyshët e UDB-ës jugosllave ,

Në Gjilan e n’ Anë Morave ,

Që të gjithë janë angazhuar –

Veprimtarin , për ta penguar !

Kryeudebashi , ka dhënë urdhërimin :

“Ta pengojmë Vehbi Ibrahimin !

T’ ia ndalojmë n’ Kosovë udhëtimin –

Do t’ na e prishë “Vëllazërim – Bashkimin “!

-Me çdo çmim e me çdo kusht –

Do ta shtimë Vehbiun n’ grusht !

Po qe s’ mundemi ta arrestojmë –

Fizikisht ta likuidojmë !”…

Për Vehbiun, atë kreshnik ,

Që i kishte shokët besnikë ,

UDB-ja sllave, iu frikësonte ,

Se një ditë, do t’ triumfonte !…

Për këtë punë , Shërbimi Sekret –

Angazhoi shërbëtorët e vet ,

Për Vehbiun – patriot , trim ,

Që ta vrasin me çdo çmim !…

Që ta vrasin , atë veprimtar ,

BASHKIMIT GJITHËKOMBËTAR !

I frikësonte thënia e tij :

“PËR MUA S’ KA SHQIPTARË TË KËQINJ !”…

VII. Vrasja në përvjetor

Aksionet e veprimtarit –

Do t’ i bien në sy tradhtarit !

Do ta mbajnë gjithmonë n’ shënjestër –

Që ta vrasin , sot , a nesër !?!

Këta vrastarë t’ okupatorit –

N’ Jubile të 30 – VJETORIT ,

Kur vranë mësuesin – Mustafë Kokën ,

Prapë me gjak do t’ ulin tokën !…

Kur u vra GRUPI I KRESHNIKUT –

Pesë dëshmorë t’ Hasan REMNIKUT !

Mbi gjak t’ tyre – si lastarë

Do t’ lëshojnë shtat , shumë veprimtarë !…

Kështu UDB-ja e okupatorit ,

Për kremtim të 30- VJETORIT ,

Më 10 TETOR , caktojnë terminin –

Për ta vra Vehbi Ibrahimin !

Edhe Vehbiun , si e kanë traditë –

Do ta vrasin , sërish “në pritë”!

Por kësaj radhe , jo n’ Bistricë ,

Por atje larg , në Belgjikë !

Do t’ paguajnë kriminelë –

Do ta vrasin në Bruksel !

Para derës së shtëpisë –

Do t’ ia thyejnë një krah Shqipërisë !…

10 Tetor – Tetëdhjetë e Një –

Kishte ardhur minutë i ZI ,

Agjentë t’ UDB-ës t’ Jugosllavisë –

Vranë Vehbiun, n’ prag t’ shtëpisë !

N’ prag t’ shtëpisë , n’ midis t’ Brukselit –

E vrau dora e kriminelit !

Ndoshta n’ bukë e ka ushqye –

Tash me plumba e ka shpërblye !…

N’ pabesi e VRANË , atë burrë –

Ra dëshmorë , për t’ mos vdekur kurrë !

Idealet e tij stoike –

S’ mund t’ i vret UDB-ja armike !…

Na e vrau UDB-ja , Vehbi djalin ,

Por s’ ia vrau kurrë IDEALIN !

S’ mund t’ i vret të gjithë shqiptarët ,

T’ gjithë ithtarët , veprimtarët !…

VIII. Strumbullari

Vehbiun, na e vranë hordhitë –

Pse s’ luftonte për pozitë ?!

Pse s’ përçante kurrë partitë ?

Pse nuk dinte për tradhtitë?!…

Ai, luftonte për një qëllim :

“NJË ATDHE , ME NJË BASHKIM!”

Mish e shpirt, ai ishte shkri :

“PËR NJË KOMB – PËR NJË SHQIPËRI “!

Bëri vepra të lavdishme ,

Për shqiptarë , shumë të dobishme ,

Me qëndresën titanike ,

Me fjalë t’ urta profetike :

-Gjithkund n’ botë , ku ka shqiptarë ,

T’ gjithë e kanë një STRUMBULLAR !

Të bashkuar në një Shqipëri –

Rreth Flamurit Kuqezi !

-Është dhunti e shenjtërisë ,

Që i dha Zoti – shqiptarisë !

Gjithë kush ka gjak të shqiptarit –

T’ i bashkohet STRUMBULLARIT !…

-Gjithmonë t’ jemi të bashkuar ,

T’ flasim gjuhën e mrekulluar !

T’ flasim gjuhën tonë hyjnore –

N’ tokat tona arbërore !

-Gjuha shqipe – gjuhë e ZOTIT ,

Gjuhë e bijve t’ KASTRIOTIT !

Gjuhë e Fishtës dhe Naimit ,

Gjuhë urate e BEKIMIT !”…

Janë këto fjalë t’ Vehbi Ibrahimit ,

Që i fliste para amshimit,

Sepse shpirti, thellë ia ndiente ,

Se t’ gjallë , UDB-ja , s’ do ta linte !…

IX. Amaneti

N’ çdo takim me shokët e vet ,

Kishte t’ vetmin AMANET :

“Herë do kurë , UDB-ja, që e vret ,

Me e varrosë n’ vendlindje t’ vet !”

“N’ vendin tim , atje n’ Uglarë ,

Ku kam prindër , ku kam t’ parë…

Mos m’i lini eshtrat n’ Bruksel ,

Se m’i vjedh ndo ‘i kriminel !”…

Shokët e tij , nuk e kanë harrua ,

Njëzet vite kanë kalua !…

Ia çuan n’ vend atë amanet –

Ia prunë eshtrat n’ vend të vet !

Me nderime dinjitoze –

Në Uglarë, ai rivarroset ,

Përskaj fshatit në varreza ,

Që t’ kujtohet ndër shumë breza !…

“Kur t’ kalojnë këtu pari rinia –

Do t’ kujtojnë eshtrat e mia !

Do t’ mësojnë nga historia –

Ç’ është armiku , ç’ është tradhtia !”…

Në atë vend , ku është amshimi –

Pushon qetë Vehbi Ibrahimi !

Prapë nga varri , lëshon kushtrim :

“T’ KEM NJË SHTET – T’ KEM NJË BASHKIM!”…

Demir KRASNIQI:

“KËNGË KRISMASH LIRIE 2”, faqe 231-243.

Gjilan, 2003.

kopie-von-8affb7a5-0929-49e6-a243-a882301c75f3

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: