DY ALBUME TË REJA TË DEMIR KRASNIQIT

DY ALBUME  TË REJA ME KËNGË TË DEMIR KRASNIQIT

Gjilan, korrik 2008.

Në jubileun e 40 – vjetorit të këngës dhe të krijimtarisë muzikore, këngëtari, krijuesi,pedagogu dhe kompozitori i lindur në Malësinë e Gollakut – Demir Krasniqi, para ca ditësh publikoi dy albume të reja me këngë autoriale dhe nga tradita jonë muzikore.
Vlen të theksohet, se këto dy albume jubilare , me këngë të kompozuara në frymën e melosit tradicional dhe këngë të trashëguara nga tradita jonë muzikore, këngëtari ynë, Demir Krasniqi i ka realizuar me punën, mundin dhe shpenzimet e veta personale, pa ndihmën e askujt, vetëm e vetëm që t’ ua lë në dispozicion adhuruesve të vet besnik, të cilët e shijuan këngën dhe talentin e tij, gjatë katër dekadave të kaluara.
Pra, Demiri nuk ka bërë albume për komercializëm, për të ngritur karrierë, as për të përfituar materialisht nga këto këngë! Qëllimi i tij jetësor , prej artistit popullor ishte, është dhe do të mbetet për gjithmonë kënaqja e shpirtrave që e duan, e dëgjojnë, e këndojnë dhe e konsumojnë këngën tradicionale shqiptare!
Për të qëndruar vertikal në këtë rrugëtim të gjatë, Demir Krasniqit gjithmonë i ka paraprirë si fanar drite, motoja e legjendës së këngës shqiptare, Qamilit të Vogël, i cili gjatë gjithë jetës së tij thoshte:
“Nëse këndon për fytyrë – nuk do të kesh para!
Nëse këndon për para – nuk do të kesh fytyrë!”
Andaj, Demiri me vetëdije të plotë e zgjodhi rrugën e të kënduarit për fytyrë, e jo për para!
Në anën tjetër, gjatë krijimtarisë së tij, Demir Krasniqi gjithmonë ka krijuar, botuar dhe kënduar nën moton e tij të përhershme:

“Për emrin e Zotit,
Për nderin e kombit,
Për gjakun e dëshmorëve,
Për eshtrat e varreve!”

Krijimtaria e tij, nën këtë moto, nuk iu shkoi për shtati të ashtuquajturve “producentë” të firmave të ndryshme muzikore, të cilët e kanë vërshuar tregun e brendshëm dhe të jashtëm muzikor me vlera të dyshimta muzikore, që më së paku kundërmojnë erë kënge e muzike shqiptare!
I penguar nga këto tendenca, Demiri nuk ia doli që ta bind ndonjërin prej tyre, që për nder të këtij jubileu dhe për hir të respektit ndaj adhuruesve të tij, t’ ia merrnin këto albume dhe t’ ia editonin për publikun e gjerë muzikor, atë vendor dhe në diasporë!
Ndonëse, Demiri ua afroi këto albume gratis, të tillët jo që nuk ia morën për editim albumet, por edhe e përbuzën nderin e tij në mënyrat më të pa skrupullta, ndër të cilat po i përmendim vetëm disa sosh:
“Nuk po i ha pazari këngët tradicionale!”
“Ka kalua koha e këngëve të Ali Bungut!”
“Këndo këngë “Tallava”!
“Tu ka plakë zëri!”…etj.etj.

Më në fund, u gjet një njeri – producent që e kuptoi rëndësinë, vlerën dhe kontributin shumëvjeçar të Demir Krasniqit dhe ia mori për editim këto dy albume jubilare, madje në rrezik të tij material!
Është ky, producenti Lulëzim Gagica, pronar i Produkcionit Muzikor “Mr.Bini” nga Gjilani, i cili është njeri i njohur për kultivimin e vlerave muzikore dhe qëndrimin besnik ndaj këngës tradicionale shqiptare.
Produkcioni Muzikor “Mr. Bini” , këto ditë editoi dhe publikoi dopio-albumin e këngëtarit Demir Krasniqi, duke i botuar ato në dy CD të pa ndara!
Në albumin e parë të këtij jubileu, Demir Krasniqi për adhuruesit e vet, ka zgjedhur këto këngë, si vijon:
KUSHTRIMI I SKËNDERBEUT – Këngë kjo, me të cilën Demir Krasniqi e filloi karrierën e vet prej këngëtari, në vitin 1968. Kjo këngë e autorit gjakovar,Zekeria Çarkaxhiut, atë botë shënonte Jubileun e 500- vjetorit të vdekjes së trimit tonë legjendar dhe heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeut.
Sivjet, po kjo këngë shënon 540-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut dhe 40- vjetorin e këngës dhe të krijimtarisë muzikore të Demir Krasniqit.
LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT – Është këngë e kompozuar nga Demir Krasniqi nën tekstin e poetit Zenel Gashi dhe e kënduar me rastin e jubileut të 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Sivjet, kjo këngë shënon 130 – vjetorin e Lidhjes dhe 40- vjetorin e këngëtarit – autorit të saj.
BASHKIMI I MANASTIRIT – Është kënga vijuese e këtij albumi, të cilën Demir Krasniqi e ka kompozuar nën tekstin e Prof.Dr.Reshat Nexhipit, nga Manastiri, enkas për jubileun e 100-vjetorit të Kongresit të Alfabetit të gjuhës shqipe, të mbajtur në Manastir prej 14-22 nëntor 1908. Me këtë këngë është prezantuar solistja gjilanase,Sirie Gagica, në manifestimin e 99-vjetorit të këtij Kongresi , në Manastir, më 2007.
KOSOVA – NUSE ME KURORË – Është këngë e krijuar me tekst e melodi nga autori Demir Krasniqi, i cili është edhe interpretues i saj. Kënga i kushtohet aktit solemn të shpalljes së Kosovës – shtet i pavarur, sovran dhe demokratik. Është interpretuar në sheshin e Gjilanit, më 17 Shkurt 2008.
FLAKA E JANARIT – Është kompozim solemn , i krijuar me tekst e melodi nga autori Demir Krasniqi, enkas për Manifestimin tradicional “Flaka e janarit” që u mbajt për të 17-tën herë në Gjilan. Këtë këngë, të cilën publiku gjilanas e quajti:”HIMNI I FLAKËS SË JANARIT”, e kanë interpretuar gjithsejtë  12 këngëtarë e këngëtare gjilanase, në formë të korit.
ZIJAH SHEMSIU – Është një përkushtim ndaj dëshmorit të popullit, të cilën e ka thurë e kompozuar vet autori Demir Krasniqi.
FATMIR IBISHI – Është njëra ndër këngët e shumta të cilat Demiri ua ka përkushtuar dëshmorëve, martirëve dhe heronjve të kombit. Fatmir Ibishi, i lindur në fshatin Uglar, afër Gjilanit, është dëshmori i parë i luftës së UÇPMB-së, i cili ra heroikisht në Grykën e Konçulit. Këtë këngë me orkestrim të kombinuar folklorik, autori Demir Krasniqi e këndon në duet me rapsodin Xhemajl Berisha.
RAFET ISUFI – TRIMI I GJYRISHECIT – Gjithashtu është një përkushtim për dëshmorin e kombit, për të cilin tekstin, melodinë dhe interpretimin e ka realizuar vet autori.
KUR SHKOVA NË MANASTIR – Është njëra ndër këngët më të përsosura nga opusi krijues i Demir Krasniqit,i cili është autor i dyfishtë dhe interpreto i kësaj kënge, të cilën e kishte krijuar kah mesi i viteve të 90-ta, me rastin kur për herë të parë ishte mysafir në qytetin e Manastirit. Këtë këngë, më herët e kanë huazuar edhe këngëtarët:Salim Arifi nga Kumanova dhe një këngëtare tjetër nga rrethi i Pejës.
DERVISH SHAQA E DEMUSH NEZIRI – Është njëri ndër përkushtimet më të bukura, të cilat Demiri ua ka kushtuar legjendave të këngëve shqiptare, gjithandej trojeve etnike shqiptare. Këtë këngë, Demiri e ka kompozuar enkas për Festivalin e Folklorit “Eshkë e ndezur mbi Shkëlzen”, të mbajtur për herë të parë në Deçan, në vitin 2005, e që iu kushtohet këtyre dy rapsodëve. Edhe këtë këngë, me orkestrim të kombinuar folklorik, autori e ka kënduar së bashku me rapsodin Xhemajl Berisha.
JU PËRSHËNDETË KËNGA E RAPSODËVE T’ GJILANIT – Është një përkushtim, përmes të cilit autori i dyfishtë Demir Krasniqi, i ka kënduar festës së Vitit të Ri-2007, përmes grupit të rapsodëve gjilanas. Kënga ka një mesazh të qartë për festën, bashkatdhetarët dhe mërgimtarët tanë kudo që janë nëpër botë, se ata asnjëherë nuk duhet ta lënë pas dore këngën tonë rapsodike, nga se ajo është ruajtur me mund e sakrifica nëpër shumë shekuj të zi të së kaluarës sonë historike!
Me këtë këngë, madje edhe Radio Televizioni i Kosovës, e pat hapur programin kulturor-festiv për Vitin e Ri – 2007.
GËZUAR VITIN E RI – Është kënga përmbyllëse e këtij albumi, e thurur dhe e kompozuar nga Demir Krasniqi, enkas për festën e Vitit të Ri. Në te përshkruhet atmosfera festive autoktone kudo nëpër familjet tona. Autori, kishte hulumtuar thesarin e begatshëm të folklorit tonë burimor, por askund nuk kishte hasur se ekziston ndonjë këngë që i kushtohet festës së Vitit të Ri, me përjashtim të disa këngëve shkollore për fëmijë! Andaj, edhe kjo këngë është një plotësim i një vakumi të këngëve tona festive.
Albumi i dytë jubilar i 40-vjetorit të këngës dhe të krijimtarisë së Demir Krasniqit, është i sajuar ekskluzivisht me këngët më të zgjedhura dhe më të admiruara nga tradita jonë popullore. Të gjitha janë përcjellë me orkestrim origjinal burimor – folklorik.
Në këtë album, janë incizuar këngët si vijon:
KËNGA E REXHËS – Njëra ndër elegjitë tona më tragjike familjare, që këndohet dhe dëgjohet me ëndje kudo ndër shqiptar.
KËNGA E MINIRES – Gjithashtu është njëra prej elegjive tona më të njohura familjare, e cila i këndon fatit tragjik të një vajze shqiptare, e cila mu në lulen e rinisë, sëmuret rënd nga tuberkulozi dhe në pamundësi që të gjejë shërim, i mbyllë sytë duke u ndarë përgjithmonë nga prindërit, nga librat, fletoret, çanta, shkolla, profesorët, shokët dhe shoqet e saj.
KËNGA E SYLEJMAN IBRAHIMIT – Është njëra ndër elegjitë më të njohura në trojet shqiptare, e cila i këndon vrasjes tragjike të një të riu, diku në Rrafshin e Dukagjinit. Etja për të jetuar jetën, familjen, punën, pranverën, Sylejmanin nuk e le t’ i mbyll sytë, pa ia lënë amanetin e fundit nënës së vet:”Që t’ ia marojnë një varr të gjerë me dy penxhere, me shpresë se do t’ i shoh lulet e pranverës, shokët duke prashitur në ara, duke korrur, duke kositur e kështu me radhë!
SHKOJNË VAPORAT RRETHIT DETIT – Është njëra ndër këngët më tipike të persekutimeve historike te të rinjve shqiptarë, të cilët i mobilizonin me dhunë dhe i çonin nëpër frontet e luftërave anë e kënd Ballkanit, Anadollit, Egjiptit, madje deri në Jemenin e largët, ku bënin “asqerllëk” nga 12 vjet!
KËNGA E AVDIS – Është njëri ndër vajtimet më të rrëqethshme ndër këngët tona. Janë vetëm disa vargje të shkëputura nga “Lahuta e Malcisë” e autorit At Gjergj Fishta, i cili iu këndon masakrave dhe gjenocidit serbo-malazias mbi shqiptarët e pambrojtur në trojet e veta etnike, e aq më tragjike, kur ata dinin të masakrojnë edhe djem të hasretit, të mbyllnin shtëpi dhe të grabisnin gjithçka gjenin përpara!
KËNGA E BYLBYLIT – Është njëri ndër përkushtimet tona të rralla popullore, përmes së cilës, këngëtari dhe krijuesi anonim popullor, i këndon robërisë në kafaz, pleqërisë së pamëshirshme dhe mallit të madh ndaj shoqërisë, verbërimit, zbardhjes së flokëve dhe dëshirës së fundit për të kënduar në liri, madje qoftë edhe në një therë!…
KËNGA E VELIS – Është një përkushtim elegjiak shoqëror, ku shokët vajtojnë për kolegun e tyre – këngëtar, i cili ndahet herët nga jeta, duke i lënë prindërit,vëllain,motrën, gruan, fëmijët, shokët dhe sharkinë me të cilën i argëtonte rrethin dhe shoqërinë!
KËNGA E MUSA ISUFIT – Është një këngë elegjiake për të cilën tekstin e ka thurur Qamili i Vogël, diku në vitet e 60-ta. Në të vërtetë, këtu bëhet fjalë për një tragjedi të rënd familjare që ka ndodhur në fshatin Miratoc të Preshevës, ku një baba që kishte të vetmin djalë – Musën dhe shtatë vajza, në moshën më të re, ia vret rrufeja duke shkuar tek ara, ku po punon morat e tij, për t’ ua çua drekën!
KËNGA E HANËS – Është gjithashtu një elegji që i këndon një ngjarje tragjike familjare, ku Hanës i vdes nëna që në moshë të re dhe mbetet nën përkujdesjen e vetme të babait, i cili e rritë të vetmen vajzë plotë 12 vjet, pa nënë! Në ditën e martesës së Hanës, deri sa po afroheshin dasmorët në oborr për ta marrë nuse Hanën, ajo duke ia kërkuar hallalin babait dhe duke menduar se si e ka rritur babai, si po e le të vetëm në shtëpi – i bie pika në zemër dhe vdes ende pa hipur në qerren e nusërisë së saj!
KËNGA E ÇANAK KALASË – Është një këngë shumë e njohur në popullin tonë, e cila i dedikohet kohës kur të rinjtë shqiptar mobilizoheshin me dhunë për t’i shërbyer ushtrisë osmane, madje ata i çonin kudo nëpër fronte të luftërave, pa asnjë pikë mëshire! Çanak Kalaja është një qytet turk në Anadoll, ku humben jetën shumë të rinj shqiptarë duke luftuar për interesat e osmanlinjve. Kjo këngë këndohet edhe në gjuhën turke, por më tepër këndohet nëpër trojet etnike shqiptare të cilat ndër shekuj kanë jetuar nën sundimin otoman.
KËNGA E HAKI LIMANIT – Është një përkushtim elegjiak që i kushtohet vdekjes tragjike të mësuesit , atdhetarit, patriotit dhe poetit Haki Limani nga Presheva, të cilin UDB-ja serbo-jugosllave ia mori jetën mizorisht, duke e shkelur me veturë mu në trotuarin e sheshit të Prishtinës, para Hotelit “Grand”! Tekstin dhe melodinë e kësaj kënge e ka thurur , kompozuar dhe kënduar Qamili i Vogël, në vitet e 60-ta, por tani e ripërtëriu dhe ri incizoi sërish Demir Krasniqi.
Për adhuruesit besnik të këngës dhe të zërit të Demir Krasniqit, këto dy albume që janë të pandara, paraqesin një plotësim dëshirash dhe një pasurim të vërtetë të diskografisë dhe melografisë shqiptare.

Gjilan, korrik 2008.                            Shaban CAKOLLI

Lini një koment